Komisari në skafin që vrau vogëlushen edhe me armën e shërbimit, vijojnë hetimet për tragjedinë në Himarë
Vijojnë hetimet për të zbardhur tragjedinë e ndodhur mesditën e 2 gushtit në plazhin e Potamit në Himarë, ku skafi që drejtohej nga komisar Arjan Tase i shkaktoi vdekjen vajzës 7 vjeçare Jonada Avdia.
"Nga hetimet paraprake rezulton se efektivi në gomonen 7 metra të gjatë me dy motorë 300 kuaj fuqi, kishte edhe armën e shërbimit. Në kundërshtim me ligjin ai është afruar në breg të detit ku ka pushues per të hipir familjarët. Ligji e thotë që një mjet lundrues me këto fuqi duhet të qendrojë mbi 300 m larg bregut të detit" bëjnë të ditur burimet për Ora News, informon gazetari Edison Vatnikaj.
Policia ka nisur sekuestrimin e kamerave të sigurisë në lokalet dhe hotelet në atë zonë për të pasur një dinamikë më të qartë të lëvizjës së lëvizjës së ish-efektivit pasi dëshmitarët janë shprehur se gjatë kohës që ishtë në det ka pasur manovra të rrezikshme.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore deklaroi sot se Tase është arrestuar për akuzën e vrasjes nga pakujdesia dhe tregon dhe se çfarë ka ndodhur
Në datën 02.08.2022, rreth orës 14:00, shtetasi A.T., i cili ishte me pushime në Himarë, ka qenë duke drejtuar një mjet lundrues me dy motorë, nga Porto Palermo drejt Potamit, ndërsa në bord kishte edhe familjarë të tij.
Në vendin e quajtur plazhi i Potamit, në kundërshtim me rregullat e qarkullimit ujor, shtetasi A.T. ka futur mjetin lundrues në hapësirën ujore të përcaktuar për pushuesit. Kjo hapësirë ujore ka qenë e rrethuar me bova plastike, sipas përcaktimeve në aktet ligjore që normojnë këtë aktivitet.
Pasi ka zbarkuar në breg personat e tjerë në bord, shtetasi A.T. ka kryer manovrime të pakujdesshme për të kthyer mjetin lundrues sërish në det të hapur. Nga këto manovrime të pakujdesshme, 15 metra larg bregut, drejtuesi i mjetit A.T., ka goditur me pjesën e prapme të mjetit lundrues, shtetasen e mitur J.A., duke i shkaktuar plagë të rënda që kanë sjellë humbjen e menjëhershme të jetës.
Pas veprimeve hetimore në vendngjarje, administrimin e provave që dokumentojnë fajësinë e shtetasit A.T. për veprën penale të “Vrasjes së kryer nga pakujdesia”, hetimet janë shtrirë edhe ndaj strukturave policore, të cilat në fushën e veprimtarisë që u ngarkon ligji, kanë përgjegjësinë për kontrollin dhe monitorimin e sigurimit të hapësirave ujore të rrethuar me bova për pushuesit.

