ZYRTARE/ Zbriti familjarët dhe kreu manovra për të kthyer skafin në det, si ndodhi vrasja e Jonadës disa metra larg bregut

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore tregon se çfarë ndodhi në orën 14:00 të 2 gushtit 2022 në plazhin e Potamit ku skafi që drejtohej nga efektivi I policisë Arjan Tase goditi për vdekje Jonada Avdinë, vajzën 7 vjeçe.
Tase i cili ishte me pushime në Himarë, ka qenë duke drejtuar një mjet lundrues me dy motorë, nga Porto Palermo drejt Potamit, ndërsa në bord kishte edhe familjarë të tij.
“Në vendin e quajtur plazhi i Potamit, në kundërshtim me rregullat e qarkullimit ujor, ai ka futur mjetin lundrues në hapësirën ujore të përcaktuar për pushuesit. Kjo hapësirë ujore ka qenë e rrethuar me bova plastike, sipas përcaktimeve në aktet ligjore që normojnë këtë aktivitet” informon Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Sipas AMP skafi ka qenë 15 metra larg bregut por nëse do të llogaritet që vetë skafi ka qenë 7 metra, atëherë tregon se ai ka qenë shumë afër bregut ku dhe ka shkaktuar vdekjen e Jonadës.
"Pasi ka zbarkuar në breg personat e tjerë në bord, Tase ka kryer manovrime të pakujdesshme për të kthyer mjetin lundrues sërish në det të hapur. Nga këto manovrime të pakujdesshme, 15 metra larg bregut, drejtuesi i mjetit A.T., ka goditur me pjesën e prapme të mjetit lundrues, shtetasen e mitur J.A., duke i shkaktuar plagë të rënda që kanë sjellë humbjen e menjëhershme të jetës” vijon njoftimi.
Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan është arrestuar me akuzën e vrasjes së kryer nga pakujdesia ndërsa do të jetë në hetim dhe zinxhiri drejtues.
Sipas nenit 85 të Kodi Penal vrasja e kryer nga pakujdesia dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Nga veprimet proceduriale të kryera deri në këtë fazë, janë marrë në cilësinë e personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime, drejtuesit e strukturave policore:
- Kryekomisar SH.H., me detyrë Drejtor i Drejtorisë dhe Migracionit në DVKM Vlorë;
- Komisar F.M. me detyrë Shef i Sektorit të Kufirit në DVKM Vlorë;
- Nënkomisar V.LL., me detyrë Shef i Komisarjatit të Policisë Himarë;
- Nënkomisar N.B., me detyrë Shef Stacioni i Policisë Kufitare Dhërmi;
- Nënkomisar A.D., me detyrë Shef i Seksionit të Rendit në Komisariatin e Policisë Himarë.
