Rama mbron ministrat, akuzon Berishën e Metën se po e shfrytëzojnë tragjedinë në Himarë për luftë politike
Kryeministri Edi Rama gjendet përballë “indinjatës dhe revoltës ” së shoqërisë shqiptare e tronditur dhe e shokuar nga ngjarja e djeshme në Himarë ku skafi që drejtohej nga një efektiv polici i shkaktoi vdekjen Jonada Avdisë, vajzës 7 vjeçare që po lahej në det me të atin.
Kur gjendemi përballë një kronike të një vrasjeje të paralajmëruar e cila ka nxjerrë në pah problematika të mëdha të sigurisë në plazh Rama mendon të kundërtën.
"Ky është sezoni më i organizuar, më i rregullt e më i pastër turistik ndonjëherë falë punës së palodhur që kemi nisur qysh shtatorin e shkuar!Ishte deri dje edhe sezoni më i qetë e më i sigurtë,me plazhet publike dhe rrjetin e vrojtuesve të plazhit organizuar si asnjëherë tjetër!"
Indinjata dhe "revolta” e qytetarëve Rama thotë se është nxitur nga nongratat dhe nga ata me identitet të dyfishtë.
“Sa për çetat e udhëhequra nga nongratat dhe nga ata me identitet të dyfishtë që kërkojnë ta kthejnë këtë vdekje tragjike në motiv lufte politike, kjo s'është as e para as e fundit herë kur një fatkeqësi që trondit shoqërinë, ekspozon shëmtinë e pacipë të shpirtit të tyre!” shkruan Rama.
Rama gjithashtu e quan të mjaftueshme shkarkimin e gjithë zinxhirit të drejtorisë së policisë kufitare në Vlorë dhe duket se nuk ka ndërmend që masat të shkojnë më tej në nivel ministror, duke i dalë në mbrojtje edhe pse shoqëria i kërkon shkarkimin e ministrave sepse kanë dështuar të bëjnë detyrën.
Rama thotë se ky "është sezoni më i organizuar, më i rregullt e më i pastër turistik ndonjëherë falë punës së palodhur që kemi nisur qysh shtatorin e shkuar!Ishte deri dje edhe sezoni më i qetë e më i sigurtë,me plazhet publike dhe rrjetin e vrojtuesve të plazhit organizuar si asnjëherë tjetër!"
Për këtë është paralajmëruar dhe një protestë nesër në ora 19:00 nën moton “nuk e vrau varka por shteti”
Reagimi i Rames
Madhësia e tragjedisë së djeshme në Himarë e bën edhe më të madhe se çdo herë tjetër, ligësinë e verbër të vampirëve politikë e mediatikë që s'lenë plagë pa futur gojën e tyre të përdalë, duke kërkuar përfitimet e tyre mizerabël në shkelje të çdo kodi moral, familjar, kombëtar!
Ky është sezoni më i organizuar, më i rregullt e më i pastër turistik ndonjëherë falë punës së palodhur që kemi nisur qysh shtatorin e shkuar!Ishte deri dje edhe sezoni më i qetë e më i sigurtë,me plazhet publike dhe rrjetin e vrojtuesve të plazhit organizuar si asnjëherë tjetër!
Tragjedia e djeshme ka tronditur të madh e të vogël dhe ka krijuar një ndjenjë të rëndë shqetësimi, ndërkohë që Policia e Shtetit po merr të gjitha masat për të reaguar shumë më fort ndaj sfidës së garantimit të rendit ligjor jo vetëm në qarkullimin rrugor, po edhe atë ujor.
Vizioni i Shqipërisë turistike dhe ambicia që kjo të jetë dekada e kthimit të vendit tonë në kampionin rajonal të turizmit, lidhet edhe me rritjen e lartë të mjeteve lundruese dhe sfidën e disiplinimit të tyre, që nuk është një fjalë goje në një vend ku deri dje ato s'ekzistonin!
Shkarkimi i gjithë trupës së drejtorisë së kufirit Vlorë dhe vendosja e një fokusi të shtuar mbi qarkullimin ujor, janë hapat e duhur që do të pasohen nga hapa të tjerë,në kushtet kur rritja e përvitshme e numrit të mjeteve lundruese përbën një sfidë të vazhdueshme për të gjithë!
Sa për çetat e udhëhequra nga nongratat dhe nga ata me identitet të dyfishtë që kërkojnë ta kthejnë këtë vdekje tragjike në motiv lufte politike, kjo s'është as e para as e fundit herë kur një fatkeqësi që trondit shoqërinë, ekspozon shëmtinë e pacipë të shpirtit të tyre!
Uroj edhe njëherë që drejtësia t'i japë ndëshkimin më ekstrem fajtorit për këtë tragjedi!

