Abuzime me naftën pa akcizë, fermerët në Vaun e Dejës: Nuk kemi përfituar, disponojmë dokumentacion të rregullt

Fermerët në Vaun e Dejës thonë se nuk kanë përfituar subvencione për naftën edhe pse disponojnë dokumentacion të rregullt. Ata sqarojnë se Padia e bërë në prokurori nuk ka të bëjë me vjedhje të naftës nga ana e Bashkisë Vau i Dejës por për lëshimin e kontratave të qiramarrjes, bazuar në vendimet në fuqi.

Isa Moriqi nga fshati Melgushë i bashkisë Vau Dejës, si çdo vit edhe sivjet mori me qera rreth 8 dynym tokë bujqësore.

Aplikoi që të përfitonte nga skema e subvencioneve të qeverisë për të marrë naftë pa akcizë.

Por fermeri nuk mori asnjë litër për këtë parcelë toke, edhe pse rezultoi përfitues me ligj, pasi nafta ka shkuar tek pronari i tokës, i cili sipas Moriqit ka mbi 20 vite që jeton në Durrës.

"Nuk jam hajn, jam fermer. Kam mbi 80 krerë lopë. 150 dynym i kam vetëm me qira. Kam njerëz që i bie me dëshmi që i kanë bërë letrat dhe nuk u kanë dhënë naftën."

Nga ana tjetër fermeri Sokol Matosha shprehet se disponon gjithë dokumentacionin për të qenë përfitues dhe shprehet i irrituar nga deklarata e kryetarit të Bashkisë Mark Babani, që emrin e tij e përmendi si njeri që nuk merrej me bujqësi.

"Unë jam fermer. Kam certifikatën e regjistrimit, NIPT-in e fermerit. Nuk e di si kryetari i Bashkisë nuk e ditka për banorët e vet jemi fermerë apo nuk jemi fermerë. Siç e di kur na i merr taksat, di edhe sa njerëz punojnë."

Armando Lekaj, pjesë e fermerëve protestues, shprehet se padia e bërë në Prokurori nuk ka të bëjë me vjedhje të naftës nga ana e Bashkisë Vau i Dejës, por për lëshimin e kontratave të qiramarrjes bazuar në vendimet në fuqi.

"Në dy protestat tona ne kemi deklaruar se kërkojmë nga  Agjencia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor Shkodër dhe Bashkia e Vaut të Dejës krijimin e një grupi të përbashkët pune për të verifikuar dhe evidentuar se ku janë bërë shkeljet."

Fermerët e Bashkisë Vau Dejës kanë bërë një padi në Prokurori, sipas tyre për shkeljet e bëra në listat e përfituesve të naftës për fermerët.