Rama: Pa SHBA-në Shqipëria nuk do ishte në gjëndje të mbrohej nga xhagajdurët e vet dhe hijet e së shkuarës
Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria është një vend që e ka të domosdoshme një aleat të fortë dhe të madh si SHBA.
Me rastin e 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëria – SHBA Rama tha se pa SHBA-në Shqipëria nuk do të ishte sot në momentin e reformës në drejtësi e jo vetëm ku vazhdon përpjekja për tu ndarë hijet e së shkuara.
Edi Rama: "Shqipëria është një vend që e ka të domosdoshme një aleat të fortë dhe të madh si SHBA. Nëse do ta parafytyronim për një moment rrugëtimin e këtyre 30 viteve pa SHBA-në edhe pse mund të kishim lirinë dhe hapur vetë rrugën për të ndërtuar demokracinë, Shqipëria sot do të ishte gjithçka tjetër por jo një vend ku po zhvillohet reformë e thellë e në drejtësi, githçka tjetër por jo një vend ku vazhdon përpjekja për tu ndarë e shkuara, githçka tjetër por jo një vend dhe një popull i mbrojtur nga vetë xhagajdurët e tij që kanë qenë historikisht arsyeja kryesore pse shqiptarët nuk kanë mundur të nxjerrin në pah potencialin e tyre.
"Pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria sot nuk do ishte as anëtare e NATO-s dhe as anëtare e Këshillit të Sigurimit, por më shumë se kaq, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria sot nuk do ishte në gjendje të përballej me të keqen dhe me të shkuarën, e cila vazhdon të jetë pjesë e përpjekjes sonë të përditshme, e cila vazhdon të rishfaqet përpara nesh në forma nga më të ndryshmet, që nga rezistenca ndaj ndryshimit dhe rezistenca ndaj krijimit të kushteve që në këtë vend të ketë drejtësi të drejtë për të gjithë e deri tek hijet e të shkuarës më të errët komuniste që ne mendojmë se i ka tretur e kaluara por që prapë, paprit e pa kujtuar, na dalin përpara"
Protagonizmi i ambasadoreve
Nuk mund të linte mënjanë batutat duke iu përgjigjur dhe atyre që shpesh tërheqin vëmendjen për protagonizimin e ambasadorëve amerikanë në Shqipëri.
Edi Rama: Sot, janë të panumërta arsyet, pse bazuar në historinë e këtyre 30 viteve, kjo është një marrëdhënie e pazëvendësueshme strategjike dhe arsyet pse ne duhet ta durojmë me buzëqeshje, madje dhe me kënaqësinë, protagonizmin e ambasadorëve amerikanë në Shqipëri.
Është shumë e thjeshtë. Shtetet e Bashkuara në Shqipëri janë në shtëpinë e tyre sepse kështu e kanë vendosur shqiptarët dhe sepse kështu e ka dashur gjithë kjo rrugë ku pa zërin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në atë vit kur Fan Noli iu lut përulësisht presidentit Wilson, Shqipëria mbase nuk do ekzistonte"
