Dosja e Metës? Demalia: Kjo është luftë e ndyrë politike. Pse habiteni? Ruçi qëndroi 30 vite në politikë
Analisti i njohur Ilir Demalia komenton situatën politike pas publikimit të shkresës që Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit, i ka dërguar parlamentit ku bëhet e ditur se emri i ish presidentit Ilir Meta figuronte në dokumentat e krijuara nga strukturat e ish Sigurimit të Shtetit.
Demaliaj thotë se prej 30 vitesh është luajtur dhe manipuluar me dosjet e sigurimit të shtetit, madje janë përdorur bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit për të mbajtur pushtetin
“Është luajtur dhe manipuluar me dosjet e sigurimit të shtetit. Vetë politika, sidomos qeveria e PD-së kur erdhi në pushtet apo dhe kur u krijua kjo parti ka pasur bashkëpunëtorë dhe i ka përdorur bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit.
Pas 30 vitesh kjo është irrelevante dhe tregon gjëndjen e rëndë dhe kolapsimin e shtetit dhe institucioneve shqiptare, organizatat e ndryshme dhe shoqëria civile që merren me dekomunistizimin e Shqipërisë.”
Në një analizë për Ora News, Demalia thotë se kemi të bëjmë me një lojë të ndyrë politike madje thotë se ka dhe prova se një njeri që ka punuar tek Autoriteti i Dosjeve ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit.
“Është shumë e rëndë nëse është e vërtetë që një ish bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit ka qenë një nga detyrat më të larta të shtetit.Por kjo është lojë e ndyrë politike që e përdor Rama. Këtu bie dhe përgjegjësia e Autoritetit të Dosjeve që kanë mbuluar dosjet. Unë kam kartelën por nuk mund ta nxjerr, të një njeriu që ka punuar në Autoritetin e Dosjeve dhe ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit. Gjëndja është shumë e rëndë, sepse këto bashkëpunëtorë u përdorën në politikë, media e kudo”
Demalia thotë se Meta po mbrohet nga analistë të cilët kanë qenë dhe ata bashkëpunëtorë të sigurimit
Ilir Meta nuk ka nevojë të justifikohet. Mund të bëjë atë veprim që e ka të drejtën sic do qytetar. Të shkojë tek Autoriteti i Dosjeve të kërkojë e të marrë dosjen e tij për të vërtetuar nëse ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit apo dosje ndjekeje. Këtë mund ta bëjë Ilir Meta dhe nuk ka pse të përdorë analistë të cilët edhe ata kanë qenë bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit. Këtu është një tallava e madhe. Problemi është që Rama po e përdor në këtë luftë të ndyrë politike bandash në Shqipëri. Sepse Rama është në hall të madh dhe vetëm me skandalin e incineratorëve shteti duhej të kishte rënë por nuk bie sepse ka përballë Ilir Metën dhe Sali Berishën. Jemi në një rreth vicioz prej 30 vitesh. Shoqëria shqiptare ka dështuar. Institucionet e shtetit kanë rënë.
Ku gaboi Autoriteti i dosjeve?
“Nuk duhej të nxirrte shkresën në këtë mënyrë. Duhej të vërtetonte dhe kishte gjithë dokumentacionin dhe më pas të dilte. Është apo nuk është e vërtetë nuk mund ta them akoma sepse përsa i përket moshës në dosjen time unë kam dy bashkëpunëtore të sigurimit të shtetit që kanë 17 vjeçe. Komisioni Mezini dhe Bezhani janë përdorur nga politika dhe unë nuk jam dakord që thonin që e ka marrë çertifikimin ky dhe nuk mund ta marrë më. Dosjet pasurohen, del një dokument i ri dhe sigurisht që duhet të japësh llogari nëse je në majat më të larta të shtetit.
Po pse na habit kjo, ndërkohë që Gramoz Ruçi për 30 vite qëndroi në krye të politikës dhe arriti të bëhej kryetar i Kuvendit që ka qenë bashkëpunëtor dhe ministër I fundit I Brendshëm. Kjo është e qartë që pluralizmi shqiptar është ndërtuar mbi një sistem njerëzish të korruptuar prandaj jemi në këtë luftë të ndyrë politike nga të gjitha krahët për të mbajtur pushtetet e tyre ekonomike dhe politike që kanë vendosur në mënyra mafioze. Këto nuk janë parti politike por parti mafioze familjare. Familja Berisha, familja Meta, familja Rama”
Ndiqni analizen e Ilir Demalise dhene sot me skajp per gazetaren e Ora News, Anila Zyberi.
