Merret peng 17-vjeçari, policia e Elbasanit arreston 4 autorët, mbajtën me forcë në makinë të miturin

Katër persona janë arrestuar në Elbasan pasi morën peng për disa minuta një 17-vjeçar mbrëmjen e të mërkurës (27 korrik). Dyshohet se për motive të dobëta të rinjtë u përfshinë në një konflikt ku përdorën sende të forta ndaj njëri-tjetrit.

Një 17-vjeçar u mor peng mbrëmjen e të mërkurës nga katër persona në qytetin e Elbasanit.

I mituri rezulton të jetë mbajtur me forcë në makinë për disa minuta.

Policia njoftoi se ngjarja ndodhi rreth orës 22:20 në afërsi të pallatit të sportit.

Aty disa adoleshentë u përfshinë në një konflikt duke përdorur sende të forta ndaj njëri-tjetrit.

Pas sherrit disa nga personat e përfshirë u larguan nga vendngjarja me një mjet “Ford” ngjyrë gri ku morën dhe mbajtën pa dëshirën e tij 17-vjeçarin po ashtu I përshirë në konflikt.

Pas njoftimit për sherrin polica ka bërë të mundur identifikimin dhe ndalimin e pengmarrësve.

Në pranga kanë rënë shtetasit Danjel Berati, Fabjan Goguaj, Beqir Qytyku dhe Ergys Goguja.

Ndaj tyre rëndon vepra penale "Heqja e paligjshme e lirisë", e kryer në bashkëpunim.

Dyshohet se konflikti ku u përfshinë të rinjtë që pasoi me marrjen peng të të miturit ka ndodhur për motive të dobëta.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.