Begaj: Presidenti Willson mbrojtësi më i fuqishëm i pavarësisë së Shqipërisë
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj gjatë fjalës së tij në konferencën për 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri - Shtetet të Bashkuara të Amerikës tha se Willson është mbrojtësi më i fuqishëm i pavarësisë dhe mos copëtimit të trojeve të Shqipërisë në Konferencën e Paqes të Shqipërisë.
Bajram Begaj: Është kënaqësi e veçantë që mblidhemi për të kremtuar 100 vjetorin e lidhjeve të marrëdhënieve diplomatike me SHBA partnerin tonë më të madh strategjik. Padyshim që rolin më të rëndësishme në krijimin e këtyre marrëdhënieve e ka luajtur Presidenti Uillson. Ishte Presidenti Uillson që, me vizionin dhe përkushtimin e tij për një rend të ri botëror dhe një diplomaci të hapur, u bë mbrojtësi më i fuqishëm i pavarësisë dhe moscopëtimit të trojeve të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris. Ishte pikërisht kjo mbështetje e fuqishme që hodhi bazat më pas për formalizimin e marrëdhënieve diplomatike si sot 100 vjet më parë.
Begaj u shpreh se në këto 100 vite "miqtë tanë amerikanë na kanë frymëzuar në rrugën drejt zhvillimit dhe forcimit të demokracisë".
Bajram Begaj: Njëqind vite në historinë e trazuar të një vendi nuk janë pak. Këto janë vite të cilat e kanë shënjuar historinë e vendit tonë, ndërsa miqtë tanë amerikanë na kanë frymëzuar në rrugën drejt zhvillimit dhe forcimit të demokracisë. Këto 100 vite konfirmojnë vendosmërinë për ta vazhduar bashkëpunimin, në kohë të vështira e të mira, në momente kyçe të historisë, në sfida të sigurisë e paqes në rajon dhe në botë. Sot ne qëndrojmë krah për krah partnerit tonë strategjik amerikan dhe punojmë së bashku në fusha me rëndësi jetike.
Presidenti tha se falë mbështetjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptarët sot janë një faktor me rëndësi gjeopolitike në Ballkan.
Bajram Begaj: SHBA janë jo vetëm pjesë e aspiratave të kombit tonë, por edhe garantë të arritjeve tona. Rezultatet në reformimin, transformimin dhe mirëqeverisjen, si dhe në forcimin e institucioneve të drejtësisë, diplomacisë, sigurisë e mbrojtjes dhe sundimin e ligjit, e kanë shndërruar vendin tonë në një partner i cili përmbush rolin koherent, konstruktiv dhe diplomatik. Falë mbështetjes bujare dhe pa asnjë rezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptarët sot janë një faktor me rëndësi gjeopolitike në Ballkan. Mbështetja e SHBA është e paçmuar për çështjen tonë kombëtare. Me të njëjtat principe dhe me të njëjtën vendosmëri me të cilën u mbështet Shqipëria 100 vjet më parë, u mbështet edhe Kosova për shpalljen e pavarësisë.
"Jam besimplotë se Shqipëria dhe Amerika do të vijojnë të jenë miq dhe partnerë të palëkundur të progresit. Partneriteti i ngushtë strategjik me SHBA-të do të gjejë hapësira të reja, ndërsa miqësia dhe marrëdhëniet e shkëlqyera të zhvilluara në këto 100 vite, do të vijojnë të forcohen dhe përmirësohen edhe në qindra mijëra vitet e ardhshme.", shtoi ai.
