100 vite bashkë, Washingtoni kërkon thellimin e dokumentit të partneritetit strategjik me Shqipërinë

Në kuadër të 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve Shqipëri – SHBA nga Washingtoni ka mbërritur një propozim për të thelluar dokumentin e partneritetit strategjik.

E bëri të ditur kryeministri Edi Rama në fjalimin e mbajtur në ceremoninë e organizuar sot me këtë rast.

“Është vërtet nder dhe privilegj që ne kemi arritur të nënshkruajmë një marëveshje të partneritetit strategjik me SHBA-në dhe së fundmi pak ditë më parë kemi marrë nga Washigtoni propozimin për të thelluar dokumentin e partneritetit strategjik"

Për Ramën kjo është jashtëzakonisht domethënëse dhe flet për një angazhim strategjik dhe thelbësor të SHBA-së me Shqipërinë e jo vetëm. Përmes Shqipërisë dhe me rajonin.

 “Shqipëria është baza politike e SHBA-së në këtë rajon. Është epiqendra e veprimtarisë së SHBA-së në të gjitha planet. Fiks ajo që Enver Hoxha luftoi të mos ndodhte” tha Rama.

Rama u ndal edhe tek roli i Shqipërisë në rajon dhe tek Ballkani i Hapur.  

"Ne jemi jashtëzakonisht të privilegjur dhe falë kësaj marrëdhënieve do ta ndryshojmë rajonin një herë e përgjithmonë.

Natyrisht do të vijojmë të përballemi me forca që dua ta mbrojnë edhe Ballkanin edhe Kosovën  nga çartja e SHBA-së por ne do ta ndryshojmë rajonin. Me Ballkanin e hapur që është një projekt 100% I mbështetur pa asnjë rezervë nga SHBA ne do të bëjmë të mundur që e shkuara  - e cila vijon të jetë dhe sot kërcënim është e vërtetë – të mos jetë më kërcënim për Ballkanin por të jetë vetëm një thesar dijeje e mësimesh si historia nuk duhet të përsëritet"