Lirohen punonjësit e portit të Durrësit. Mbetet mister kush i zhduku 49 arkat me banane ku dyshohej se fshihej kokainë

Tetë personat e mbetur në burg për zhdukjen e 49 arkave me banane ku dyshohej se fshihej kokainë u liruan të enjten nga Gjykata e Durrësit. Ndaj punonjësve të portit u caktua masa “Detyrim paraqitje” ndërsa për ngjarjen aktualisht nuk ka asnjë person pas hekurave.

Gjykata e Durrësit liroi nga burgu 8 punonjës të portit të qytetit të cilët u arrestuan në 17 korrik pasi u konstatua se një kontejneri ku dyshohet se ishte fshehur lëndë narkotike i mungonin elementët e sigurisë.

Të enjten Gjykata caktoi masën detyrim paraqitje për përgjegjësin e turnit të kamerave në port, Skënder Plaku, për operatorët e kamerave Shefqet Elezi, Profit Tola, Gentian Halili, Rajd Bleta dhe Gjergji Doraci.

Në “Detyrim paraqitje” u lanë edhe përfaqësuesve të firmës Bana King Altin Muhametaj dhe Nazmi Allgjata.

Ndryshimi i masës u kërkua nga prokurori i çështjes Afrim Shehu ndërsa avokati Gramoz Lika tha se të ndaluarit nuk kanë kryer asnjë veprim në kundërshtim me detyrën që kryenin.

Gramoz Lika: Nga veprimet dhe sidomos nga kqyrja e pamjeve filmike del se punonjësit e Autoritetit Portual nuk kanë kryer asnjë veprim në përmbushjen në rregull të detyrës. Është rast i rrallë që prokuroria reagon aq shpejtë dhe kjo tregon për një objektivitet të lartë hetimi.

Më 8 korrik në Portin e Durrësin u konstatua se në një kontejner që i përkiste kompanisë Bana King mungonin 49 arka.

Fillimisht u arrestuan 20 persona, 12 prej të cilëve u lanë të lirë më 19 korrik.

Për ngjarjen aktualisht nuk ka asnjë person pas hekurave duke lënë mister zhdukjen e arkave me banane ku dyshohej se fshihej kokainë.