Korrupsioni për tenderat pa pranga, lirohen policët në Shkodër, pritet me duartrokitje ish-shefi i krimeve Saimir Rrustemi

Gjykata e Shkodrës ka lënë në "arrest shtëpie" 10 nga 13 policët dhe ish-policët e arrestuar pak ditë më parë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasi dyshohet se kanë abuzuar me tenderat.

Ndërkohë gjykata vendosi masën "detyrim paraqitje" për tre zyrtarë të tjerë që ishin arrestuar.

Në një seancë që zgjati më shumë se katër orë të dielën (24 korrik) në masën e sigurisë"arrest shtëpie"u la dhe ish-shefi i krimeve Saimir Rrustemi.

Dhjetëra qytetarë protestuan paraditën e të dielës kundër arrestimit të Saimir Rrustemit përpara gjykatës së shkallës së parë në Shkodër.

"Është e turpshme që figura e Saimirit të njolloset në këtë mënyrë. E njohim të gjithë në Shkodër. Është një shef i përgjegjshëm dhe ka qenë gjithmonë bashkëpunues me qytetarët."

"Kemi ardhur prej Tirane, është një person shumë i përgjegjshëm, i disiplinuar."

"Të mbrohet e drejta e çdo personaliteti të ndershëm të Shkodrës, po të kishte qenë dikush tjetër nuk do të kisha dalë."

Teksa seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, mësohet se të gjithë të akuzuarit kanë mohuar akuzat dhe përfshirjen e tyre në veprat penale.

Në dosjen hetimore rezulton se gjatë periudhës kohore 2020 deri në fund të 2021, këta punonjës policie dhe punonjës të administratës civile pranë policisë Shkodër kanë kryer veprime favorizuese dhe fiktive me qëllim favorizimin e subjekteve të caktuara për përfitimin e  tenderave me vlera të vogla që janë zhvilluar nga kjo Drejtori.

Gjatë hetimit ka rezultuar se punonjësit e sektorit të auditimit gjatë kryerjes së auditimit të procedurave të tenderimit për vitin 2020-2021 dyshohet se nuk kanë pasqyruar në mënyrë të qëllimshme shkeljet e kryera në lidhje me procedurat e prokurimeve të bëra nga punonjësit përgjegjës të policisë Shkodër.

Gjithashtu dyshohet se punonjës të administratës kanë përvetësuar shuma të ndryshme parash në periudha kohore të caktuara që janë marrë nga pagat e policëve.