Akuzohet për rryshfet, GJKKO lë në fuqi masën "Arrest në shtëpi"për gjyqtaren, Zamira Vyshka

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi masën për gjyqtaren e Gjykatës së Elbasanit, Zamira Vyshka dhe të pandehurit e tjerë.

Gjyqtarja e Gjykatës së Elbasanit, Zamira Vyshka dhe të pandehurit e tjerë u paraqitën ditën e sotme në SPAK për të dhënë dëshmitë e tyre. 

Vyshka u arrestua më datë 22 korrik së bashku me avokatin Ilir Pashaj  me akuzën e korrupsionit me një skemë të uljes së dënimit ndaj një shtetasi kundrejt rryshfetit.

Gjyqtarja pretendon se nuk është e përfshirë në këtë aferë korruptive.

Janë 5 persona të përfshirë në këtë çështje, për dy prej tyre gjykata ka vendosur masën “Arrest shtëpie” ndërsa për tre të tjerët përfshirë dhe personin për të cilin bëhej afera “Arrest me burg”.

Gjyqtarja Vyshka nuk ka dalë ende para vetingut. Avokati Pashai ka dhënë dorëheqjen nga sistemi para se të kalonte në filtrën e vetingut dhe më pas ka ushtruar detyrën e avokatit.

Në një njoftim zyrtar, Prokuroria e Posaçme bëri të ditur se ndaj Gjyqtares së Elbasanit është vendosur masa e "Arrest në shtëpi" për akuzën e korrupsionit pasi dyshohet për rryshfet 400 mijë lekë për uljen e dënimit të një të arrestuar. 

Fakti penal i hetuar, lidhet me një rast të korrupsionit aktiv/pasiv në sistemin e drejtësisë (në qytetin e Elbasanit), ku persona të interesuar/familjarë të një shtetasi të arrestuar në bashkëpunim me avokatin mbrojtës Ilir Pashaj, i kanë ofruar gjyqtares shumën monetare me qëllim favorizim  në caktimin e masës së dënimit" deklaroi SPAK më (22 korrik 2022).

Për këtë skemë korruptive prokuroria ka vënë nën akuzë pesë persona ku është ekzekutuar masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”, për shtetasen Zamira Vyshka, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Elbasan.

Po kështu janë ekzekutuar masat e sigurimit “Arrest në burg”, për shtetasin Ilir Pashaj, me detyrë avokat mbrojtës, si dhe për shtetasit Taulant Ramollari, Xhulio Musaj ndërkohë që është ekzekutuar masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”, edhe për shtetasin me iniciale A.T.

Burimet nga hetimi sqaruan se në tetor të vitit 2021, avokati Ilir Pashaj, i cili ka qenë gjyqtar u tha familjarëve të shtetasit Xhulio Musaj, i arrestuar për plagosje se do i ulte 6 muaj burg për 200 mijë lekë.

Pas takimit me gjyqtaren ai kërkoi 400 mijë lekë, por familjarët e kundërshtuan dhe nuk pranuan të paguanin këtë shumë.

Biseda mes avokatit të familjarëve të të arrestuarit mësohet se është përgjuar ku ata kanë kundërshtuar ofrimin e kësaj shume.