Ali Pasha tërheq turistët/ Qindra vizitorë në kalanë trekëndore në ‘Porto Palermo’
Kalaja trekëndore e Ali Pashë Tepelenës në Porto Palermo po tërheq qindra vizitorë të huaj. Edhe pse shumë pak promovuar, turistët duket se e gjejnë vetë kalanë. Veç objektit historik edhe plazhi i qetë tërheq vizitorët.
Kalaja trekëndore e Ali Pashë Tepelenës dhe plazhi i qetë e kanë kthyer Porto Palermon në një destinacion turistik.
Me mijëra vizitor vijnë çdo vit për të mësuar diçka nga jeta e pashait të Janinës dhe historisë së tij të dashurisë me Vasiliqinë.
Çdo ditë kalaja pret 100 vizitorë kryesisht të huaj.
“Më pëlqen është e bukur, nuk ka shumë gjelbërim, nuk ka shumë pemë pemë por prapë është e bukur. Më kujton pak Italinë mesdhetare, Kalabrinë, këto zonat e Italisë time”
Dëmet në kala gjatë komunizmit janë të dukshme edhe sot. Kalaja në brendësi është e mbytur në lagështirë, ndërsa ndriçimi është i dobët, në zona të caktuara mungon.
“Nuk e kanë mbajtur, kanë ngelur vetëm muret, brenda nuk ke se çfarë shikon më shumë”
Pas vizitës në Kala turistët nuk mund të shmangin plazhin me ujëra të qeta. Madje ka nga ata që vijnë vetëm për detin.
“Unë jam Hana nga Republika Çeke, ne jemi në Shqipëri në një udhëtim me një agjenci turistike. Kalaja është shumë e bukur, nuk kam parë diçka të tillë më parë. Ne në Çeki nuk shohim plazh dhe po e shijojmë. Natyra është e bukur por shumë nxehtë për ne. Çmimet janë shumë të lira, flas për ushqimet, por karburanti është shumë i shtrejtë"
Jehona e çmimeve të shtrenjta duket se shqetëson vetëm pushuesit shqiptar.
“Çmimet janë shumë të lira. Për ne nga Zvicra janë vërtetë të lira.”
“Nëse i krahasojmë me çmimet italiane, janë të levërdisshme, por për vendin nuk e di, varet nga banorët këtu se si jetojnë dhe si i paguajnë ata”
Porto Palermo arrin të marrë vetëm vëmendjen e turistëve individual. Gjatë gjithë verës vetëm 15-20 grupe vizitojnë kalanë dhe plazhin. Në zone janë ngritur subjekte shërbimi dhe akomodimi me shpresën se fshati do të ketë më shumë vizitor.
