Zjarret në vend, aktivizohen 18 vatra gjatë 24 orëve të fundit/ Ministria e Mbrojtjes: Vijojnë të jenë aktive 5 vatra
18 vatra zjarri në gjithë territorin e vendit janë raportuar në 24 orët e fundit, 13 prej të cilave janë shuar. Ministria e Mbrojtjes në përditësimin e informacioneve mbi situatën e zjarreve në vend, bën me dije se 5 prej tyre vijojnë të jenë aktive.
Situata me zjarret në vend vijon të jetë problematike.
Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile bën me dije gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 18 vatra zjarri.
Ndërsa Ministria e Mbrojtjes thekson se vijojnë të jenë ende aktive 5 vatra zjarri, ndërsa shton se “Strukturat e sistemit të mbrojtjes civile si ato ne nivelin vendor dhe ne nivelin qendror janë në gatishmëri të plotë me të gjitha kapacitetet nga toka dhe ajri për mbajtjen nën kontroll të situatës në të gjithë vendin”.
Aktualisht janë aktive 5 vatra zjarri, konkretisht në: Berzanë në bashkinë Lezhë ku gjatë së shtunës situata agravoi në orët e pasdites, por nga forcat në terren u bë e mundur vënia e tyre nën kontroll.
Si pasojë e Zjarrit në fshatin Terpan në vendin e quajtur “Qafa e Kumbullës”, në bashkinë Poliçan, është arritur të mbahen jashtë rrezikut lagjet Mema dhe Hyraj.
Në fshatin Shetaj, bashkia Durrës, është aktualisht vetëm një vatër e cila vijon djegien brenda perimetrit të saj me intensitet të ulët. Ndërsa Forcat e shërbimit zjarrfikës e kanë mbajtur nën monitorim përgjatë gjithë 24 orëshit.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se janë izoluar vatrat në Qarkun Elbasan, në bashkinë Prrenjas në pyll ahu në zonën e mbrojtur në Starovë dhe fshatin Funaras të bashkisë Librazhd. Këtë të diel ka filluar ndërhyrja nga forcat operacionale për shuarjen përfundimtare të tyre.
Në betejë me flakët gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 26 mjete zjarrfikëse , 99 efektivë zjarrfikës, 11 forca bashkiake, 9 forca nga Agjensia Kombëtare e zonave të mbrojtura, 12 forca nga shërbimi pyjor, 35 forca vullnetare si dhe janë angazhuar kapacitetet në nivelin qendror, 32 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 20 forca të policisë së shtetit.
