Ilir Xhakolli harron fshatin/ Zonat rurale në Pogradec pa investime, banorët: Bashkia nuk na dëgjon

Rreth 1000 banorë të fshatit Blacë të Bashkisë Pogradec jetojnë mes vështirësive të shumta për shkak të mungesës së investimeve ndër vite. Uji i pijshëm dhe infrastruktura rrugore janë shqetësimet kryesore të këtyre banorëve që ndihen të harruar nga pushteti lokal e qendror.

Uji i pijshëm është problem kryesor me të cilin po përballen banorët e fshatit Blacë të Pogradecit.

Ata shprehen se askush nuk është interesuar për situatën në të cilën gjenden.

“Uji i pijshëm thonë se do të vije, erdhi vitin e kaluar bën këto kanale, por se sa do të  realizohet nuk e di.

“Tëra problemet i kemi s’ka ku të vejë më keq.”

Vendosja e disa tubacioneve që nuk u vendosën në punë asnjëherë, u prishi edhe rrugën.

“Fshati ka nevojë njëherë për tubat e ujërave të zeza, rrugët duhet të shtrohet.”

“Janë çarë kanalet  e tubat, i kanë lënë ashtu nuk i kanë rregulluar.”

Bujqësia e blegtoria janë të vetmet mënyra jetese, por situate sipas banorëve po bëhet e vështirë.

“Jo me dele, jo me dhi. Këtë vit i kanë shitur të gjithë se u rritën shumë ushqimet. Fshati ka pasur 300 lopë, sot ka 60 lopë.”

I lënë në harresë të plotë dhe pa asnjë investim konkret, të rinjtë e fshatit Blacë e kanë braktisur atë.

“Të rinjtë kanë ikur në emigracion, s’ka të rinj këtu, e shumta janë dy të rinj."

Banorët shprehen se bashkia Pogradec e Drejtuar nga Ilir Xhakolli nuk i është përgjigjur asnjëherë shqetësimeve të tyre.