DETAJI/ Atentati në Milot, autorët pritën 10 minuta poshtë pallatit, Preçi dhe Ibrahimi kishin qenë në një lokal para ngjarjes

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i datës 22.07.2022, rreth orës 21:00, ku mbeti i vrarë Klisman Preçi dhe u plagos Ylli Brahimi në rrugicën pranë banesave të tyre, në afërsi të qendrës së Milotit.

Sipas burimeve, automjeti i autorëve ka qëndruar për rreth 10 minuta në rrugën përballë rrugicës së pallatit ky jetonin dy personat të cilët ishin fqinj me njëri-tjetrin.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Sapo makina e shënjestrave të tyre është afruar për të hyrë në rrugën e pallatit kanë dalë dy atentatorët dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të makinës.

Duke qenë se mjeti ishte i blinduar, njëri prej tyre është afruar tek xhami dhe ka qëlluar në distancë të afërt dhe më pas ata janë larguar me automjetin tip "Audi".

Para ngjarjes Ylli Brahimi dhe Klisman Preçi kishin qenë në një lokal në qendër të Milotit, disa metra larg banesave të tyre dhe siç duket atentatoret i kanë ndjekur lëvizjet e tyre.

Nga atentati i mbrëmjes së të premtes, humbi jetën rrugës për në spital Klisman Preçi, 28 vjeç ndërsa Ylli Brahimi, 46 vjeç, mbeti i plagosur dhe aktualisht ndodhet i shtruar në spital jashtë rrezikut për jetën.