Nga 2011 deri në 2021, 130 mln euro për (pa) sigurinë e AKSHIT
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar të dhëna nga një shtet aleat në lidhje me katër llogari që besohet se i përkasin autorëve të sulmit kibernetik ndaj platformës e-Albania në Shqipëri. Letërporosia mësohet se është dërguar pas nisjes së hetimit për sulmin që privoi për një javë qytetarët dhe bizneset nga shërbimet qeveritare për shkak të daljes së sistemit offline. Nga ana tjetër të dhënat e publikuara nga Open Data tregojnë se rreth 130 milionë euro tendera për pajisje, programe dhe siguri në sistemin e ndërtuar nga AKSHI, nuk kanë mjaftuar për ta bërë atë të sigurt nga ndërhyrjet por edhe nga kopjimi apo fshirja e të dhënave nga shtete të huaja.
Investimet në sigurinë e databazës shtetërore i kanë kushtuar shtetit shqiptar rreth 130 milionë euro të përfituara në formën e financimeve nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, e njohur ndryshe si AKSHI.
Platforma e-Albania dhe krejt rrjeti i shërbimeve të ofruara nga kjo agjenci, dolën jashtë funksionit javën e fundit nga një sulm kibernetik për të cilin nuk dihet nëse është mjaftuar vetëm me nxjerrjen jashtë përdorimi të databazës shtetërore, apo është shoqëruar edhe me kopjimin dhe fshirjen e të dhënave sensitive për qytetarët dhe bizneset.
Konkretisht sipas tabelave të publikuara nga Open Data, rezulton se nga viti 2011 deri në vitin 2021 nga AKSHI janë përfituar gati 130 milion euro për ndërtimin, mirëmbajtjen, zgjerimin, sigurimin dhe testimin e sistemeve të shërbimeve që shteti shqiptar ofron për qytetarët dhe bizneset.
dhe pavarësisht shpenzimit të një shume të tillë, e cila nuk përfshin financimet e 6 mujorit të parë të vitit 2022, databaza shtetërore shqiptare është sulmuar dhe nxjerrë jashtë funksioni duke ndërprerë për një javë të gjitha shërbimet jetike që ofrohen nga shteti ynë.
Tenderi me vlerë limit më të lartë i përfituar nga AKSHI është mbajtur në vitin 2018 me objekt "Përmirësim i Modulit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit", me vlerë të fondit limit 1 869 852 960 Lekë.
Ky tender është fituar nga shoqëria Primus Albania shoqëri e zotëruar nga kompania e regjistruar në Zagrep Kroaci me emrin Primus Adriatic.
Nga viti 2014 kur qeveria drejtohej nga mazhoranca aktuale e deri dhjetor 2021 nga buxheti janë rreth 132 miliard lekë pa TVSH fond limit i tenderuar.
Viti me më shumë verë tenderimi është 2018 me fond limit të tenderuar nga AKSHI prej 5.94 miliard lekë pa TVSH.
Mes shpenzimeve të kryera nga AKSHI me paratë e buxhetit, renditen edhe udhëtime jashtë vendit apo edhe orë pune të paguara për trajnimin e stafit në Shqipëri për teknikat e rritjes së sigurisë së rrjetit, ndërtimin, funksionimin dhe testimin e firevvall, etj, por sërish, këto masa nuk kanë mjaftuar për shmangien e sulmit që ka cënuar bazën qëndrore të të dhënave të shtetit shqiptar.
Për sulmin ndaj platformës e-Albania dhe bazës së lidhur me të, prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet ndërkohë që pjesë e hetimit, mësohet se është edhe dërgimi i letërporosive jashtë shtetit.
Bëhet fjalë për identifikimin e të paktën katër llogarive që dyshohet se janë përdorur nga autorët e sulmit kibernetik, për të cilat i është kërkuar një shteti të huaj bllokimi i tyre dhe evidentimi i pronarëve.
Nga ana tjetër hetimi që po zhvillohet në Shqipëri ashtu sikurse rimëkëmbja e platformës e-Albania mësohet se i është besuar ekspertëve të huaj të mbërritur në Shqipëri javën e fundit.
Kryeministri edi rama ka deklaruar se skuadra e Microsoft DART (Detection and Response Team) dhe partnerët e “Jones Group International”, janë angazhuar në trajtimin e rastit ndërkohë që mësohet se ndihmë është kërkuar edhe nga NATO dhe partnerët amerikane. deri tani dyshohet se sulmi është kryer nga të paktën dy shtete.
