Iu bënë atentat mbrëmë, kush janë Klisman Preçi dhe Ylli Brahimi, të dy shënjestra dhe më parë

Vetëm 6 ditë pas masakrës me 3 të vrarë që tronditi Shqipërinë, krimi goditi sërish në Milot mbrëmjen e së premtes. Ylli Brahimi dhe Klisman Preçi u qëlluan me breshëri automatiku.

Preçi nuk mundi t’i mbijetojë plagëve dhe mbërriti në spital i pajetë, ndrësa Brahimi mësohet se është jashtë rrezikut.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Preçi dhe Brahimi janë emra të njohur për policinë. Ata i kanë shpëtuar të tjera atentateve edhe më parë.

Brahimi ka qenë i përfshirë në biznesin e lojërave të fatit dhe i dënuar për trafik të lëndëve narkotike në vitin 2003 nga Gjykata e Shkodrës, ndërsa është marrë në pyetje dhe për vrasjen e ish-policit Xhelal Reçi. Ndërsa, Klisman Preçi është arrestuar për një tentativë grabitjeje me armë në Milot.

Më 14 maj të këtij viti, viktima e së premtes Klisman Preçi, në muajin maj i shpëtoi një tjetër atentati, së bashku me kushëririn e tij Blerim preçi. Ky i fundit u qëllua me armë rreth orës 20:00 teksa lëvizte me një makinë tip “ML” në të cilën ishte pasagjer edhe kushëriri i tij Klisman Preçi.

28-vjeçari Blerim Preçi, dyshohet se është ndjekur për disa kohë dhe autorët i dinin lëvizjet e tij. Autorët të cilët lëviznin me një makinë “Audi” u raportua në atë kohë se iu afruan makinës së të riut nga Miloti  duke dalë paralel dhe më pas hapën zjarr ndaj tij.

Sapo ka dëgjuar të shtënat Blerim Preçi ka frenuar makinën dhe më pas është hedhur në lëvizje e sipër. Makina ka vijuar të ecë dhe ka dalë jashtë rruge pas disa metrash, ndërkohë që në këtë atentat nuk pati të lënduar.

Ndërsa i mbijetuari i atentatit të së premtes, Ylli Ibrahimi i ka shpëtuar një atentati të bërë në janar të vitit të shkuar. Atentatorët e biznesmenit, mbi të cilin u zbrazën plot 20 plumba nga automatiku ‘Scorpions’, e ndoqën me motorcikletë nga Tirana biznesmenin Ylli Brahimi, të cilin e kapën plot shtatë plumba në gjymtyrët e poshtme, e më pas u zhdukën, pa u ndaluar nga asnjë efektiv policie.

Edhe pse ngjarja ndodhi në orët e paradites, konkretisht në orën 11:57, dy autorët kanë përshkuar kilometra të tëra rrugë, të pashqetësuar, duke lënë pas misterin e identitetit të tyre dhe biznesmenin Brahimi të shtrirë në tokë. Vetë biznesmeni që ra pre e këtij atentati të ndodhur më 13 janar mohoi aso kohe të kishte konflikte dhe ishte shprehur se nuk e ka aspak idenë se kush qëndron pas sulmit të organizuar.

Brahimi në atë kohë është marrë në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Lezhës, me dyshimin për implikimin e tij, për vrasjen e ish efektivit të policisë Xhelal Reçi, vrasje e ndodhur më 1 nëntor 2021.

Po ashtu, Brahimi është marrë në pyetje nga blutë, në lidhje me vrasjen e Bujar Likës, me të cilin ka pasur edhe miqësi.