Zjarr pranë ish-uzinës së Baterive në Berat, digjet një sipërfaqe me shkurre

Një zjarr me përmasa të konsiderueshme ka rënë pak minuta më parë në zonën e ish/Uzinës së Baterive në Berat.

Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të madhe toke me shkurre e ferra.

Nga zjarri rrezikoheshin disa ndërtesa ku banorët i përdorin për të mbajtur ushqimet e bagëtive për dimër por fatmirësisht flakët u lokalizuan shpejt nga zjarrfikësit, duke shmangur rrezikun e përhapjes së flakëve drejt depove me ushqime.

Në vendngjarje kanë shkuar 3 mjete zjarrfikëse që po punojnë për shuarjen e plotë të vatrave të nxehta, për të shmangur riaktivizimin e tyre që mund të favorizohet nga temperaturat e larta dhe era.

Raportohet nga vendngjarja se, nga zjarri është djegur një sipërfaqe e madhe me shkurre, ferra e bimë të ndryshme, ndërkohë që shkaqet e zjarrit nuk dihen ende.