Tronditet Miloti, policia dhe FNSH në kërkim të autorëve të atentatit me 1 viktimë dhe 1 të plagosur

Miloti është tronditur mbrëmjen e sotme, ku gjatë një atentati ka mbetur i vdekur Klisman Preçi dhe ndodhet në gjendje të rëndë Ylli Brahimi.

Ndërkohë, policia bën me dije se autorët kanë qëlluar me armë ndaj automjetit tip fuoristradë “Land Chrysler” ku ndodheshin dy personat.

“Në qytet Milot, në sheshpushimin  e një pallati, rreth orës 21:00, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip fuoristradë “Land Chrysler”, brenda  të cilit ndodheshin shtetasit K. P., 28 vjeç dhe Y. B., 46 vjeç, banues në Kurbin, të cilët janë dërguar në Spitalin e Traumës, në Tiranë. Shtetasi K. P. ka ndërruar jetë.  Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë forca të shumta policie dhe grupi hetimor.” – njofton policia.

Nga an tjetër, forcat policore të Komisariateve të Policisë Kurbin dhe Lezhë, me mbështetje edhe nga grupet e FNSH Shkodër, po bëhet krehja e zonës dhe janë ngritur pika kontrolli, me qëllim kapjen e autorit/ëve.

Janë ngritur pika kontrolli në Rrugën e Kombit, në drejtim të Matit, të Lezhës, të Tiranës dhe të Krujës.

Në fshatin Gramëz, rrethi Krujë, është konstatuar duke u djegur një automjet, që dyshohet se është automjeti i përdorur nga autori/ët për kryerjen e kësaj ngjarjeje kriminale.

Nga këqyrja paraprake, brenda tij,  janë gjetur 2 armë zjarri kallashnikovë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vazhdon veprimet hetimore, duke administruar çdo provë, pamje filmike, informacion si dhe dëshmi, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.