Ekspertë nga SHBA ndalën sulmin kibernetik, Rama: Aksione diplomatike ndaj shtetit që fshihet pas
Një skuadër speciale e angazhuar nga SHBA është angazhuar me skuadrat e AKSHI-t ditë natë për të ndalur sulmin kibernetik në sistemin online qeveritar, tha sot kryeministri Edi Rama.
“Një bombardim shumë i rëndë dhe koha për të ringritur sistemet e bombarduara është njëkohë rekord. Këtë do të dëgjoni nga superekspertët amerikanë” tha Rama në një deklaratë për median para kryeministrisë.
Do të jetë një konferencë e posaçme për median ku do të jepen detaje.
Kryeministri Edi Rama u tregua i rezervuar për të dhënë emrin e shtetit që fshihet pas sulmit por tha se bëhet fjalë për dy shtete jo miqësore me Shqipërinë, duke refuzuar ti përmendë.
“Nuk është sulm i angazhuar nga hakera të zakonshëm për të vendosur gjoba shumë të majme por agresion i angazhuar nga një shtet. Kemi qenë realisht në një luftë, me një agresor që bombardonte nga të gjitha anët, të gjitha sistemet tona, njësoj si të vinte të bombardojë ujësjellësat, kanalizimet, rrjetin e ndriçimit por në hapësirën virutale. Nuk kemi ende provat për të përcaktuar një prej dy shteteve thellësisht të dyshuara. Kjo është pjesa më delikate e investigimit. Nuk dua të spekuloj se kjo është shumë serioze dhe në momentin që do të kemi prova te mjaftueshme, ne do të ndërmarrim pastaj dhe aksionet konkretet të natyrës diplomatike ndaj cilitdo prej këtyre shteteve që është autor i këtij agresioni kriminal ndaj Shqipërisë, prandaj do më lejoni që të jem i rezervuar."
Platforma qeveritare e-Albania u kthye në funksionim më 20 korrik, pas tre ditësh jashtë funksioni. Qeveria njoftoi se do të ofronte 1118 shërbime nga 1225 që ofronte më parë, ndërkohë që për shqiptarët jashtë vendit ende nuk është e aksesueshme për arsye sigurie.
Në deklaratën për median pas mbledhjes së qeverisë Rama tha se ishte i vendosur të çonte përpara dhe projektin e aministisë fiskale.
Dhoma Amerikane e Tregtisë ka vlerësuar se pr/ligji nuk ofron garanci të mjaftueshme se individe që kanë përfituar nga veprimtari kriminale do të përjashtohen. Edhe shoqata Gjermane e Tregtisë dhe Industrisë vlerëson se paketa e qeverisë Rama ka efekte negative.

