Rikthehet pjesërisht e-Albania, platforma do ofrojë 1118 shërbime nga 1225, shqiptarët jashtë s'mund ta hapin
Pas tri ditësh jashtë funksionit, platform qeveritare e-Albania është kthyer në funksionim. Qeveria njoftoi se ajo do të ofrojë 1118 shërbime nga 1225 që ofronte më parë, ndërkohë që për shqiptarët jashtë vendit ende nuk është e aksesueshme për arsye sigurie.
Qeveria shqiptare njoftoi rikthimin online të platformës e-Albania pas tri ditësh jashtë funksionit.
Rreth orës 16.30 të së mërkurës (20 korrik), portali qeveritar e-Albania u rikthye online.
Për ta përdorur platformën, duket se AKSHI ka vendosur masa sigurie ku qytetarëve u kërkohet të vendosin një kod që tregon se faqja nuk po aksesohet nga programe robot apo persona keqbërës.
Sipas zyrës së shtypit pranë Këshillit të Ministrave, tashmë në funksion janë 1118, nga 1225 shërbimet elektronike që ofrohen në total për qytetarët shqiptarë. Mes shërbimeve që mund të bëhen online si më parë janë dokumentet e gjendjes civile dhe aplikimet për regjistrime në shkolla në klasat e para dhe të dhjeta.
Po kështu, qeveria bën me dije se për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, portali e-Albania, për arsye të larta sigurie, nuk është ende aktiv dhe do të bëhet funksional së shpejti.
Nga ana tjetër qeveria bën të ditur se AKSHI-t, së bashku me skuadrën e Microsoft DART (Detection and Response Team) dhe partnerët e “Jones Group International”, po vijojnë punën për t’ju kthyer qytetarëve edhe Shërbimet e regjistrimeve dhe të ndryshimeve të pronarëve përfitues.
Dalja jashtë funksionit e platformës e-Albania ka shkaktuar ditët e fundit dyndje në sportele kryesisht përshitblerjen e pronave dhe automjeteve si dhe për dokumentet e gjendjes civile.
Tashmë mund të gjenerohen sërish nga platforma digjitale:
- Dokumentet me vulë elektronike - certifikatat e gjendjes civile, vërtetimet tatimore, eksteraktet dhe certifikata e regjistrimit të biznesit, vërtetimet e papunësisë, certifikata e gjendjes gjyqësore (dëshmia e penalitetit)
Do të mund të aplikohet për:
- Regjistrimin në klasën e parë dhe të dhjetë të nxënësve
- Shërbimet e regjistrimit të biznesit, etj.
Sakaq njoftohet se për të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, portali e- albania, për arsye të larta sigurie, do të bëhet funksional së shpejti.
Ndërkaq AKSHI-t, së bashku me skuadrën e Microsoft DART (Detection and Response Team) dhe partnerët e “Jones Group International”, po vijojnë punën me intensitet të plotë për t’ju kthyer qytetarëve edhe:
- Shërbimet e regjistrimeve dhe të ndryshimeve të pronarëve përfitues;
- Vërtetimin e ndihmës ekononomike, pagesës së paaftësisë së kufizuar dhe kërkesës për të përfituar nga programet e strehimit social;
- Për shërbimet e rezervimit të takimit për kryerje konsulte e ekzaminimi mjekesor;
- Për listën e notave dhe vertetimin e diplomës për studentet që kanë ndjekur Universitetin e Tiranës;
- Për shërbimet konsullore, për shqiptarët jashtë vendit;
-Shërbimet e certifikatave të regjistrimit të objekteve të pronësisë industriale;
- Njehsimin e diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja;
- Si dhe për kryerjen e pagesave të ujit dhe energjisë elektrike
Sulmi me 17 korrik
Me 17 korrik, sistemet qeveritare u goditën nga një sulm kibernetik. Auoritetet folën për një “sulm masiv kibernetik të pandodhur kurrë më parë, të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë".
Sipas versionit zyrtar “metodat mbi të cilat aktorët keqbërës kanë vepruar janë të ngjashme me sulmet e vitit të fundit, të vëna re në hapësirën kibernetike ndërkombëtare.
Teknikat mbi të cilat ky sulm mbështetet janë të së njëjtës natyrë me ato të përdorura për një sërë sulmesh kibernetike në domain-et qeveritare dhe private të kohëve të fundit, si në Ukrainë, Gjermani, Lituani, Maltë, Holandë, Belgjikë dhe vende të tjera të rajonit.
Këto metoda maskohen fillimisht me sulme të tipit Ransomëare, me anë të të cilave keqbërësit kërkojnë të largojnë vëmendjen nga qëllimi real, që është sulmi ndaj sistemeve kritike.
Hapi i dytë i këtij sulmi të përqendruar dhe sofistikuar është goditja në sistemet kritike digjitale të shtetit shqiptar për t’i nxjerrë jashtë funksionit”.
Sakaq Prokuroria e Tiranës konfirmoi për Ora News nisjen e hetimeve për sulmin kibernetik ndaj sistemeve qeveritare.
"Kemi regjistruar procesin penal për sulmin kibernetik nga sistemeve qeveritare", konfirmoi organi i akuzës për Ora News.
