Konfirmohet në detyrë gjyqtarja GJKKO-së Etleva Deda

Kolegji i Posaçëm Apelimit ka shpallur vendimin për gjyqtaren e GJKKO-së, Etleva Deda.

Komisioni i Posaçëm i Apelimit, ka lënë në fuqi vendimin e marrë nga KPK në 12 qershor, ku gjyqtarja është konfirmuar në detyrë, pasi nuk janë konstatuar probleme në pasurinë e saj. 

Sipas vendimit Deda kishte deklaruar kredinë që kishte marrë. Marrja e kredisë u mor për të blerë për një apartament.

Deda nuk rezulton të ketë pasuri të tjera të paluajtshme, përveç apartamentit në Tiranë.

Sipas vendimit, Deda kishte burime financiare të ligjshme për krijimin e apartamentit 115 metra në Tiranë. 

Vendimi i marrë nga KPK ishte ankimuar nga institucioni i Komisionerit Publik pasi sipas tij, kishte pasaktësi në deklarimin e pasurisë së gjyqtares.

“Duke marrë për bazë jurisprudencën e deritanishme të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, gjendjen e fakteve dhe provave në rastin konkret dhe të ligjit të zbatueshëm, Komisioneri Publik ndan gjykim të kundërt, pasi vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë”, thuhej në ankimin e Komisionerit.

Gjyqtarja e ka nisur karrierën e saj në sistemin e drejtësisë në vitin 2004 si gjyqtare e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Në vitin 2010, Deda e drejtoi përkohësisht këtë gjykatë si kryetare e komanduar.