Ekzekutohet ish-polici në Laç, ngjarja në afërsi të një banke, FNSH rrethon Kurbinin

Ish-polici, Xhelal Reçi, rreth 61 vjeç, që pas tërheqjes nga shërbimi merrej me biznes, u ekzekutua në qytetin e Laçit. Ai dyshohet se ka qenë në ndjekje nga autorët, ndërsa pista kryesore e hetimit janë konfliktet e të birit, i cili në gusht të vitit të kaluar i shpëtoi një atentati në prani të bashkëshortes e fëmijeve. Siç është bërë traditë, makina që u përdor nga vrasësit e policit u gjet e djegur disa minuta pas ngjarjes.

Ish-efektivi i Policisë së Shtetit, Xhelal Reçi, u ekzekutua në Laç mëngjesin e kësaj të hëne, 1 nëntor.

Ishte ora 07:23 minuta, kur 61-vjeçari po shkonte për hapur bizneset në pronësi në qendër të qytetit.

Autorët duket se kanë qenë duke e ndjekur dhe shfrytëzuan momentin kur ai zbriti nga makina për ta sulmuar me armë zjarri pistoletë.

Xhelal Reçi, ka marrë një plumb në gjoks dhe me reflekset e ish-policit ka tentuar ti shpëtojë sulmit, duke hyrë në një rrugicë mes dy objekteve.

Por plaga që kishte marrë ishte vdekjeprurëse.

Vrasja u shënua thuajse në qendër të qytetit, në një zonë me biznese dhe institucione të pajisura me kamera sigurie.

Pamjet mund të ndihmojnë për zbardhjen e dinamikës së plotë dhe ndoshta edhe në identifikimin e vrasësve të ish-policit.

Paraprakisht, autorë dyshohet se ishin dy persona.

Njëri në cilësinë  e ekzekutorit dhe tjetri shofer në makinën që u përdor për krimin, e cila disa minuta me vonë u gjet e djegur buzë lumit në zonën e Milotit.

Në këtë pikë ata dyshohet se mund të jenë ndihmuar nga persona të tjerë dhe janë larguar për të humbur gjurmët.

Grupi hetimor po bën verifikime për mjetin, ndërsa ekspertët kriminalistikë bënë  kqyrjen në kërkim të provave që mund ti çojnë tek autorët.

Por siç tregojnë pamjet, makina është djegur plotësisht, çka mund të ketë zhdukur të gjitha gjurmët e autorëve në makinë.

Duke iu rikthyer krimit, dyshimet e forta janë se ish-polici 61-vjeçar, Xhelal Reçi,  mund të jetë ekzektuuar për shkak të konflikteve të të birit, Besnik Reçi, i cili njihet në zonë si problematik.

Në gusht të vitit 2020, atij i bënë atentat në Shëngjin, ku u qëllua ndërsa lëvizte me makinë bashkë me gruan dhe dy fëmijët.

Burimet thonë se që pas sulmit në sy të familjes, Besnik Reçi nuk dilte në ambiente publike nga frika se mos binte sërish pre e atentateve.

Pas vrasjes së ish-policit të Rrugores, që tashmë merrej me biznes, në Laç zbarkuan forcat Speciale të Policisë së Shtetit që ngritën postblloqe e ushtruan kontrolle në kërkim të autorëve të ekzekutimit të 61-vjeçarit.