Siguria në plazhet e Lezhës/ Nga 240 plazhe, vetëm 100 me vrojtues
Edhe këtë verë, siguria në plazhet e Lezhës mbetet problem.Nga 240 stacione plazhi vetëm rreth 100 prej tyre kanë marrë në punë vrojtues të certifikuar të shpëtimit në ujë.
Teksa sezoni turistik ka hyrë në pikun e tij dhe numri i pushuesve është gjithmonë në rritje, siguria në plazhet e Shëngjinit dhe Tales mbetet problem.
Nga 240 stacione plazhi përgjatë vijës bregdetare të Lezhës, vetëm 100 prej tyre mbulohen me vrojtues të çertifikuar.
Kreu i Federatës së Vrojtuesve të Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë ngre alarmin që tregon dështimin e institucioneve që duhet të garantojnë respektimin e ligjit.
"Kemi aktualisht rreth 100 vrojtues, por si rregull kemi 240 subjekte që ushtrojnë të drejtën e shërbimit të shezloneve. Kjo do të thotë që ka një mungesë shumë të madhe të vrojtuesëve në vijën bregdetare," tha Luçiano Marku President i Federatës "Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë".
Në këto kushte, pushuesit këshillohen të frekuentojnë vetëm plazhet me vrojtues, pasi aty do të jenë më të sigurtë në çdo situatë.
"Vrojtuesi i plazhit është siguria maksimale që mund të ofrojë subjekti për pushuesin," tha ai.
Kullat e posaçme dhe vëzhguesit e licensuar janë detyrim për çdo subjekt që shfrytëzon plazhet, por situata në terren tregon se jo të gjithë po e zbatojnë.