Kokainë mes “Bana King”? 8 të arrestuar në port mbeten në qeli, 12 hetohen të lirë

Çfarë kishin brenda dhe kush i mori 49 arkat e zhdukura nga kontejneri me banane i mbërritur nga Amerika Latine për llogari të kompanisë “Zico Sh. A të biznesmenit Trifon Muratajt?

Dyshimet e forta janë për lëndë narkotike kokainë.

Por kush dhe kur u nxorën arkat nga porti i Durrësit kur kontejneri mbërriti me 8 korrik ende nuk dihet.

20 të arrestuarit pas zbulimit të skandalit të hapjes së kontejnerit para se të kalonte në skaner mbushën si rrallë herë gjykatën e Durrësit.

Për shkak të numrit të lartë të të akuzuarve dhe avokatëve protokollet e masave të sigurisë u thyen.

Prokuroria e Durrësit që po ndjek hetimet ka ngritur ndaj tyre akuzat për “shpërdorim detyre”, “kontrabanda me mallra te tjera” dhe “thyerja, heqja, zëvendësimi i shenjave të sigurisë së autoriteteve doganore” kryer në bashkëpunim.

Por si punëtorët e portit ashtu edhe punonjësit e Trifon Muratajt mohojnë të jenë të përfshirë në nxjerrjen e 49 arkave të zhdukura.

"Asnjëri nuk ka pranuar gjë pasi nuk ka lidhje direkte."

"Lepuri fle diku tjetër. Se ku fle, shteti le ta gjejë."

Por pavarësisht qëndrimit të mbajtur, trupi gjykues vendosi burg pa afat për tetë prej të akuzuarve ndërsa për 12 të tjerët hetim në gjendje të lirë.

Mes atyre që mbeten në qeli janë edhe dy punëtorët e kompanisë “Zico Sh. A që më 16 korrik u paraqitën në portin e Durrësit për të marrë kontejnerin me banane.

Ngarkesa ishte nisur nga Ekuadori më pas ishte ndalur në Kolumbi, në Spanjë, Itali e në fund në Durrës.

Porti i Durrësit vitet e fundit është kthyer në një pikë kryesore të trafikut të kokainës nga Amerika Latine që kryesisht janë zbuluar në kontejnerë me banane.

Personat që u lanë në burg

1.Rajd Bleta

2.Gjergji Doraci

3.Shefqet Elezi

4.Profit Tola

5.Skender Plaku

6.Altin Muhametaj

7.Nazmi Allgjata

8.Gentian Halili