Portali shtetëror ra, rikthehen sportelet. Qytetarët në radhë pranë institucioneve për të marrë shërbim

Bllokimi i platformës e-albania si pasojë e sulmit kibernetik ka rikthyer qytetarët në sportelet e institucioneve.

Të martën në zyrat e Njësive Administrative 3 dhe 4 në kryeqytet u krijua radhë për marrjen e shërbimeve.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE 

Shumë nga ata që pritën pranë sporteleve kërkonin certifikata apo vërtetime.

Thonë se mosfunksionimi i shërbimeve online po i sollorat nga një zyrë në tjetërën.

"Shkova të merrja pensionin e gruas po nuk e mora dot se duhet një certifikatë. Është dicka që qytetarët bezdisen, në mes të vapës edhe sorollatje të kota," thotë një i moshuar.

"E kërkuam në e'albania certifikatën, po ishte mbyllur dhe erdha ta marr këtu," tha një e moshuar.

Megjithatë të moshuarit shprehen se ende nuk dinë ta përdorin platformën e-albania. Për çdo shërbim që ju duhet iu drejtohen institucioneve.

"Deri tani kam shkuar gjithandej. Nuk marr vesh as si ta përdor celularin. Në vend që ta ndez e fik," tha një e moshuar.

Thuajse e njëjta situatë ishte edhe në njësitë e tjera administrative në kryeqytet.

Të martën në mesditë qeveria lajmëroi se faqet zyrtare të ministrive dhe sisitemit të fiskalizimit janë rikthyer në funksion të plotë po ashtu u njoftua se po punohet për kthimin e shërbimeve që ofrohen në e-albania.

Sulmin kibernetik të se dielës ekspertët e kanë cilësuar të mirëmenduar, të sofistikuar dhe shumë të kushtueshëm.

Mendohet se ka ardhur nga jashtë por për shkak të natyrës ekspertët thonë se gjetja e autorëve është shumë e vështirë.