Meta përshëndet hapjen e negociatave: Institucionet të reflektojnë pa vonesë ndaj detyrave qe kemi!
Edhe pse Edi Rama nuk mori asnjë përfaqësues të opozitës apo Presidencës në delegacionin e tij në Bruksel, këta të fundit nuk nguruan ta përshëndesin vendimin e Bashkimit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Në ditën historike për Shqipërinë, Brukseli zyrtar nisur nga mungesa e saj në tryezën e negociatave nuk nguroi që t'i kujtonte Edi Ramës detyrimin e tij për të bashkëpunuar me opozitën, kjo e fundit do ta përshëndeste vendimin për çeljen e rrugës europiane për vendin.
Presidenti, Ilir Meta, e ka konsideruar këtë ditë si “të shkëlqyer”.
Megjithatë, në deklaratën për mediat, Kreu i Shtetit nuk nguroi të kritikojë qeverinë, duke thënë se duhet të ballafaqohemi me realitetin me këmbë në tokë dhe se kemi humbur shumë kohë.
Ilir Meta: E sotmja është një ditë e shkëlqyer, një gur themeli për shqiptarët. Kjo tregon se rajoni jonë vazhdon të gëzojë mbështetjen evropiane. Ky është sinjal i qartë i mbështetjes. E sotmja është një ditë vendimtare për të ardhmen, një ditë kur duhet të ballafaqohemi me realitetin ashtu siç është. E vërteta është se kemi humbur shumë kohë. Kjo na zbulon të gjitha të metat, punët e bëra keq.
Shqetësimet e Holandës, vërejtjet e Francës, apo të gjitha shqetësimet e shprehura në rezolutën e fundit të PE, tregojnë se transformimi kërkon punë. U bëj thirrje qytetarëve të mos bien pre e fushatave që duan të minojnë rrugën tonë drejt BE-së. Rruga evropiane është e vetmja që garanton që shtëpia jonë e përbashkët të ketë atë begati, që qytetarët tanë e kërkojnë në Itali, Britani, Gjermani, etj. Iu bëj thirrje institucioneve të reflektojnë pa vonesë ndaj detyrave që kërkohen. Është në dorën tonë që ky proces të zgjasë 5, 30 apo më shumë vite.
Berisha përshëndet vendimin: BE na refuzoi 5 herë për shkak të Ramës
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pasi BE-ja vendosi ti japë dorën Shqipërisë dhe të hapë negociatat, një proces i përmbyllur që në vitin 2012, por që Edi Rama me qeverisjen e tij, vetëm i shtoi kushtet Shqipërisë.
Berisha vlerësoi se hapja e negociatave të Shqipërisë me BE një arritje e madhe për shqiptarët.
Berisha tha se Fronti për Shpëtimin e Shqipërisë do të shpëtojë shpejt vendin nga regjimi i Ramës, dhe me reforma të thella dhe të gjithanshme, rruga e integrimit të vendit në BE do të njohë normalitetin dhe shpejtësinë që meriton.
Tabaku: Rama duhet të ishte me kokën ulur sot. Opozita do të luajë rolin e saj
Ndërsa në një konferencë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, kryetarja e Këshillit të Integrimit, Jorida Tabaku u shpreh se hapja e negociatave është një proces i rëndësishëm dhe transformues.
Tabaku theksoi se përfshirja e opozitës në këtë proces është i rëndësishëm dhe se duhet të luajë rolin e saj.
Jorida Tabaku: Më lejoni të përgzoj shqiptarët për këtë hap të ri në procesin e integrimit. Histori e ka sjellë që arritjet më të mëdhaja nën procesin e integrimit kanë qenë nën PD. Në 2006 u nënshkrua marrëveshja e Stabilizim Associmit, në 2009 u aplikua për marrjen e statusit të vendit kandidat, mejnjëherë më pas u realizua liberalizimi I vizave. Të gjitha këto arritje të prekshme për shqiptarët. Dua të falenderoj të gjithë ato që kanë vënë një gur në këtë proces qofshin demokratë, qofshin socialist. Administrata publike ka bërë një punë të jashtëzakonshme.
Sot shqiptarët përfitojnë jo vetëm një emërtim të ri, do të fillojnë një proces i cili është veçse fillimi. Unë nuk gjykoj që kriteret janë plotësuar plotësisht por për arsye politike gjykoj që Shqipëria e meritonte fillimin e konferencës së parë ndërqeveritare, shqiptarët e meritonin. Në emër të opozitës për ne ka shumë rëndësi sepse do të rritet monitorimi, nuk do të kemi më justifikim as për zgjedhjet e vjedhura, as për demokracinë, as për funksionimin e drejtësisë. Nuk do të kemi më asnjë justifikim as për të rinjtë që largohen sepse na takon ne që ta ndërtojmë Europën këtu e ta bëjmë Europën këtu.
Vlerësoj atë që ka ndodhur sot si hap I një procesi të gjatë. Ajo çfarë është më e rëndësishmja është dhe përfshirja e opozitës në këtë proces. Ashtu siç ka ndodhur në gjithë vendet e Ballkanit perëndimor, opozita duhet të luajë rolin e saj në këtë proces. Është një proces që i përket Shqipërisë e shqiptarëve dhe jo politikanëve të cilët shkojnë e vijnë, e në fakt këto që janë sot shpresoj që të shkojnë sa më shpejtë. Ky proces është në favor të qytetrëve shqiptarë.

