Shqipëria nis rrugën për anëtarësim në BE, Rama falenderon Merkel dhe shqiptarët, harron opozitën

Pas 8 vitesh si vend kandidat, Shqipëria nisi zyrtarisht negociatat për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Europian, duke u bërë kështu vendi i 4 në Ballkanin Perëndimor që futet në këtë fazë.

“Ky është një moment histori! Sot Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë hapur pikërisht negociatat për aderimin në BE.”

Për të shmangur evidentimin e punës së qeverisë Berisha në këtë rrugëtim të vendit tonë, Edi Rama u mundua të mos merrte përsipër as meritat politike të ekzekutivit të tij, por ai falenderimet ja drejtoi në veçanti ish kancelares gjermane dhe popullit shqiptar.

Rama: Dua të falënderoj një tjetër zonjë gjermane që s’është më tashmë aktive, por pa të s’do të ishim këtu sot, e cila është zonja Merkel. Ajo ka datëlindjen dhe do doja t’i uroja gjithë të mirat. Pra shumë faleminderit mbarë popullit shqiptar, i cili kurrë nuk u dorëzua dhe kurrë nuk rreshti së ëndërruari ndjekjen e udhëtimit evropian dhe falë të cilit ne qëndruam në këmbë.

Grupi i punës ndërministror dhe ndërinstitucional tashmë duhet të nisin procesin për përmbushjen e reformave të kërkuar nga BE sipas kuadrit negociues të miratuar nga këshilli.  Në tryezën e parë ndërqeveritare në Bruksel ekipit shqiptar ju bë e qartë nëpërmjet ministrit të jashtëm çek se BE do të monitorojë vendin tonë rreptësisht në përmbushjen e kuadrit negociues.

“Shqipëria duhet të zbatojë reformat dhe të përmbushë zotimet e nevojshme. BE hapi negociatat me Shqipërinë. Momenti nisi tani!”

Në këtë tryezë Edi Rama u soll si një dhëndër pa mërira duke përshkruar me emocione këtë vendim të Brukselit që afron një hap më tepër Shqipërinë pranë familjes evropiane.

Rama: Është e vështirë të besohet se kjo po ndodh. Për mjaft kohë ne luftuam kundër besimit se nuk do të ndodhte fare, megjithatë të hiqnin dorë nuk na ka shkuar kurrë në mendje. Nuk ka rrugë tjetër veç Bashkimit Evropian, është ëndrra jonë, sfida jonë, misioni ynë, është fati ynë! integrimi plotë në Evropë është për Shqipërinë dhe kombin shqiptar një çështje për jetë a vdekje.

Reforma në drejtësi do të jetë kapitulli i parë  që Shqipëria do të hapë dhe do të mbyllë negociatat me BE.

Rama: Nëse vetëm pak vite më parë do të kishit pyetur dikë në Shqipëri, këdo, për shanset për të parë në jetën e vetë një politikan pas hekurave, do të kishin qeshur me ju. Realiteti tani është shumë ndryshe. Askush nuk është imun para drejtësisë. As pozita dhe tesera e partisë dhe as paratë nuk mund t’ju mbrojmë më. Unë qëndroj këtu sot si lider i një mazhorancë të zgjedhur në mënyrë demokratike, që nuk ka mbrojtur askënd nga shigjeta e drejtësisë dhe as që ka përdorur ndonjëherë shigjetën e pushtetit ekzekutiv për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve të gjyqësorit në favor të dikujt dhe kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë e kombit tonë, por sigurisht shumë hije të së shkuarës vazhdojnë.

 

Për eurokomisionerin Oliver Varhelyi, tashmë është radha e Shqipërisë për të mbajtur zotimin e saj për të përmbushur reformat për demokratizimin e vendit, ndërsa i kërkoi qeverisë së Edi Ramës bashkëpunim me opozitën për përmbushjen e kushteve të anëtarësimit.

Varhelyi: Kjo konferencë e parë ndërqeveritare është një gur kilometrik, hap një faqe të re të marrëdhënies me Be. Shqipëria duhet të plotësojë zotimin e saj për luftën ndaj krimit të organizuar dhe luftën kundër korrupsionit. Kuadri negociues  përfshin metodologjinë e re të zgjerimit. Negociatat e arsimit do të kërkojnë vullnet të fortë politik. Do të ndëshkojnë shumë fusha të shoqërisë, por duhet punuar me çdo grup interesin, edhe me opozitën. Na duhet konsensus mbarëkombëtar, në këtë rrugëtim na duhet të tërë në Shqipëri

Edhe pse shumë herë i ka kërkua opozitës që të mos flasë keq për qeverinë e tij në anglisht për procesin e integrimit, Edi Rama bën atë që nuk do të donte t’ia bënin atij, tenton të intimidojë PD në sytë e ndërkombëtarëve nga Brukseli edhe pse duke folur në shqip.

Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit me të drejta të plota në BE do të varet vetëm nga plotësimi i kushteve të vendosura nga unioni.

Varhelyi: Mesazhi im ndaj qytetarëve të Shqipërisë është shumë i thjeshtë: ne duam që të jeni pjesë e Bashkimit Evropian. Nga sot e tutje do të injektojmë në negociata një dinamizëm të ri. Jo vetëm negociata gjithëpërfshirëse por edhe shteruese. Negociatat kanë një natyrë transformuese. Kohëzgjatja e anëtarësimit të plotë do të varet nga puna që do të bëjë Shqipëria.

Procesi teknik screening mes grupit negociator shqiptar dhe atij të BE do të nisin punën pa humbur kohë, si një premtim nga unioni për të mos e zvarritur nëpër vite këtë fazë në të cilën Shqipëria është futur zyrtarisht këtë të hënë.