Aksident tragjik në minierat e Bulqizës, humb jetën 52-vjeçari

Kromi u pagua sërish me jetë në minierën e Bulqizës. Një minator humbi jetën këtë të martë (19 korrik) në një nga galeritë private.

Ngjarja ndodhi në një subjekt minerar në atë që njihet si zona D e minierës.

Viktimë mbeti 52-vjeçari, Sazan Deda.

Në një njoftim të shkurtër, policia e Dibrës tha se ai u aksidentua në punë, po pa dhënë më shumë detaje për rrethanat.

Burime saktësuan se aksidenti u shënua në thellësitë e minierës.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Sazan Deda ishte duke punuar kur një masiv gurësh u shemb dhe e zuri poshtë.

Për pasojë minatori 52-vjeçar ndërroi jetë në vend.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera nisi hetimet për tragjedinë e radhës në galeritë e Bulqizës.

Inspektorët do të verifikojnë kushtet e punës dhe masat e detyrueshme të sigurimit teknik që duhen marrë dhe zbatuar kur minatorët zbresin disa qindra metra nëntokë për të nxjerrë krom.

Në varësi të përfundimit të hetimit, priten masa ndaj drejtuesve të minierës private.

Minierat janë një nga vendet më të rrezikshme të punës në Shqipëri, pasi në vazhdimësi ka aksidente të rënda.

Në 5 vitet e fundit, përllogaritet se janë më shumë se 35 minatorë që kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga aksidentet në galeri.