"Plumbi i Artë", Apeli i Posaçëm lë në qeli 8 nga të arrestuarit që ankimuan masën e arrestit me burg
Gjykata e Posaçme te Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në burg 8 nga të arrestuarit në operacionin "Plumbi i Artë", të cilët kishin apeluar masën e arrestit me burg të vendosur nga Shkalla e Parë me 17 maj të këtij viti.
Apeli njoftoi se sot "u shpall vendimi lidhur me çështjen nr. 24, datë 20.06.2022 regjistrimi, me objekt “ankim ndaj vendimit të caktimit të masës së sigurimit personal”, në ngarkim të personave nën hetim Ilirian Feci, Fatos Gosa (Tos Gosa), Elvis Koçi (Çaushllari), Adrian Uzuni, Altin Ndoci, Petrit Qoli, Agron Qoli, Gentian Sharra ku trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtarja Daniela Shirka, vendosi: Miratimin e vendimit nr. 42, datë 17.05.2022 dhe vendimit nr. 48, datë 21.05.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për personat nën hetim Fatos Gosa (Tos Gosa), Elvis Koçi (Çaushllari), Adrian Uzuni, Altin Ndoci, Petrit Qoli, Agron Qoli, Gentian Sharra. Miratimin e vendimit nr. 48, datë 21.05.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për personin nën hetim Ilirian Feci."
Po kështu Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi ndalimin e publikimit të vendimit në referim të nenit 103 të K.Pr.Penale.
Rreth një muaj më parë SPAK zhvilloi një megaoperacion pas dëshmisë së Nuredin Dumanit duke çuar në pranga 18 persona. 9 prej tyre ishin duke vuajtur dënime të tjera në burg.
Ndërkaq 14 persona, mes tyre të organizuar edhe si drejtues të grupeve kriminale, kanë mundur tu shpëtojnë prangave duke u arratisur.
