Prokurori i Përgjithshëm jep dakordësinë për hartën e re gjyqësore: Nevojë emergjente!
Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka dhënë dakordësin për hartën e re gjyqësore, të hartuar nga KLGJ, temë e cila është diskutuar për javë të tëra.
Në një letër që i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë, Çela thotë se e vlerësojnë frymën e këtij bashkërendimi dhe koordinimi ndërinstitucional në përballje me nevojat për të lehtësuar rritjen e ngarkesës dhe mbështetur veprimtarinë e prokurorëve me numër të reduktuar.
Sipas Çelës, harta e re gjyqësore vjen në kuadrin e procesit të pritshëm që sjell rritjen e kapaciteteve akomoduese me ambiente pune për prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore të seksioneve, administratës dhe shërbimeve mbështetëse në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm.
"Në këtë vështrim, sipas kushtetutës dhe ligjit përfshihet dhe sistemi i prokurorisë, me ndikim në riorganizimin e prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë dhe prokurorisë pranë gjykatës së apelit me juridiksion të përgjithshëm sipas kompetencave tokësore të gjykatave, riorganizim të cilin e vlerësojmë si nevojë emergjente për përmirësimin e funksionalitetit, eficencës dhe efektivitetit në sistemin e prokurorisë", - thuhet ndër të tjera në letër.
Harta e re gjyqësore e propozuar nga KLGJ dhe Ministria e Drejtësisë shkrin gjykatat dhe prokuroritë e shkallës së parë në disa qytete, si Tropojë, Pukë, Mat, Lushnje, Përmet, Pogradec, Kavajë, Krujë dhe Kurbin.

