Sazani u dogj, ministri Peleshi: S’u bë nami! Duhet ta luftojmë mentalitetin se zjarri shuhet me helikopter

Djegia e Ishullit të Sazanit për qeverinë nuk ishte një ngjarje aq e rëndësishme sa u paraqit. Ministri i Mbrojtes Niko Peleshi befason me deklararatat e tij në Komisionin e Sigurisë ndërsa i kërkoi deputetëve që të heqin dorë nga mendimi se zjarret shuhen me helikopter. Për flakët ai bëri përgjegjës bashkitë dhe kryepleqtë e fshatrave, por nuk tha se çfarë masash merr qeveria ku ai bën pjesë ndaj tyre.

Tirane- Edhe pse për shuarjen e flakëve në Sazan u desh ndërhyrja e forcave greke pas gjashtë ditësh lufte me lopata dhe shkurre, 

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi befason me këndvështrimin e tij për situatën.

Gjatë debatit sot (27 qershor 2022) në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, Peleshi u shpreh se çështja e zjarrit në Sazan u paraqit sikur të ishte bërë nami.

Niko Peleshi: Ne kemi pasur një zjarr pothuajse serioz në Sazan. Zoti Xhaferraj e bën sikur është bërë nami. Në fakt po të shohim hartën e vitit të kaluar ishte e gjitha me të keqe. Kemi një verë të nxehtë përpara dhe do kemi jo një por shumë zjarre”.

Peleshi tha se çështja e përballjes së zjarreve nuk zgjidhet me vetëm me kapacitete ajrore.

Niko Peleshi:"Efekti i tyre është ekzagjeruar në publik, sepse është krijuar ideja me sukses që zjarret lidhen me helikopterin dhe nga kjo sëmundje janë infektuar shumë kryetarë bashkisë të cilët e shikojnë zjarrin që të arrijë qiellin e thonë na duhet helikopter. Nëse vazhdojmë me këtë mentalitet do ta kemi shumë të vështirë"

Ndërkaq ministri i Mbrotjes është i mendimit se nuk ka nevojë për investime nga qeveria shqiptare për sigurimin e mjeteve ajrore për betejat me zjarret, pasi siç tha ai është mëse e mjaftueshme ndihma që na vjen herë pas here nga vendet fqinje.

Niko Peleshi:"Shqipëria nuk ia leverdis të blejë një avionin tonë që kushton 50 mln euro. Edhe nëse i kemi nuk jemi në fazën që të investojmë 50 mln euro për ta përdorur një muaj shto dhe koston e mirëmbajtjes që janë shumë të mëdha dhe për fat të keq ne nuk kemi kompani mirëmbajtjeje”

Ai drejtoi gishtin nga bashkitë duke thënë se janë ato që kanë nën varësi zjarrfikëset dhe ato duhet të bëjnë reagimin e parë për të parandaluar përhapjen e flakëve.