Revolta për hartën gjyqësore/ Avokatët në rrethe vijojnë bojkotin e masave të sigurisë e gjyqeve
Avokatet në Vlorë po vazhdojnë bojkotin e seancave gjyqësore, dhe atyre të masave të sigurisë, në shenjë proteste kundër hartës së re gjyqësore.
"Do të vazhdojë bojkoti me të njëjtin program pra braktisje e seancave gjyqësore civile përfshirë dhe masat e sigurimit."
Në mbështetje të tyre në protestë të hënën dolën edhe grupet e interesit.
"Si do të vete unë tani në Tiranë në Gjykatën Administrative se i do qejfi atij që ka bërë këtë propozim."
Ish-pronarët hodhën dyshime dhe akuza se harta e re gjyqësore synon sipas tyre edhe të zhduke dokumente.
"Grumbullimi i tyre në tiranë përbën një rrezik të madh. Unë dhe shumë të tjerë si unë mendojmë se ato grumbullohen atje për ti zhdukur për ti djegur."
Në një deklaratë për mediat kundër hartës dolën edhe deputetët e PD-së së qarkut të Vlorës Bujar Leskaj, Ina Zhupa, Arbi Agalliu dhe Fation Veizaj të cilët thanë se kjo hartë cënon aksesin e qytetarëve në Drejtësi.
'Vendimi për miratimin e hartës së re gjyqësore është në shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut. Ku vendim kufizon rëndë aksesin në drejtësi", u shpreh Arbi Agalliu.
Edhe avokatët në Shkodër, Lezhë dhe Gjirokastër po vijojnë bojkotin e seancave gjyqësore, tashmë në javën e tretë të protestive të tyre.
