Aksidenti tragjik në Berat/ Nënë e bir “shuhen” në Osum, makina “fluturon” nga ura në lumë
Nënë e bir, vetëm 25 dhe 6 vjeç humbën jetën në një aksident tragjik në Berat. Makina e drejtuar nga gruaja doli nga rruga për arsye ende të paqarta dhe përfundoi në mes të lumit.
Këto pamje tregojnë momentin kur makina e drejtuar nga 25-vjeçarja Klaudja Xhaferraj dhe me djalin 6-vjeçar si pasagjer ra në lumin Osum në Berat.
Nënë e bir humbën jetën në aksidentin tragjik.
Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 14:00, në vendin e quajtur “Ura e re” në rrugën “Antipatrea”.
E gjithë dinamika është fiksuar nga një kamera sigurie.
Aty shihet makina tip "Fuoristradë" që është duke lëvizur në korsinë e saj bosh.
Në një moment, mjeti bën një kthesë të pashpjegueshme në rrugë, del mbi trotuar, merr përpara kangjellat metalike dhe përfundon në mes të lumit.
Në asnjë moment, të paktën në video nuk shihet tentativë për të frenuar.
Ishin banorët e zonës që u gjenden aty që u shkuan mënjëherë në ndihmë.
Fëmija u arrit të nxirret i gjallë, por nuk arriti ti mbijetojë.
Për të nxjerrë trupin e gruas u deshën disa minuta.
6-vjeçari, sipas dëshmitarëve, kishte në krah një vigon mjekësor, ndërsa burimet thonë se nënë e bir po ktheheshin nga spitali i qytetit.
Shkaqet e aksidentit tragjik janë ende nën hetim, ndërsa dy janë pistat kryesore.
Dyshimi i parë lidhet me faktin që nëna në timon, mund të ketë kthyer kokën nga djali që qëndronte në sexholino në sediljen e pasme.
Përdorimi i celularit, sipas burimeve, mund të jetë po ashtu shkak.



