Mediu në parlamentin britanik: Mos hapja e negociatave nga BE, zhvillim negativ që do ketë pasoja në Ballkan

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu më datë 23-24 në Parlamentin Britanik organizoi konferencën e Sigurisë me temë ”Agresioni Rus në Ukrainë dhe implikimet në Ballkan”, në bashkëpunim me European Leadership Network.

Konferenca u organizua dhe me mbështetjen e anëtarëve të parlamentit Britanik, Lord George Robertson ish sekretari i përgjithshëm i NATOs, njohës dhe mbështetës i ballkanit, Lord Des Browne ish Ministër i Mbrojtjes i Britanisë, mbështetës i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Lord Haney ish Amb i Britanisë në BE dhe UN si dhe depuetët Mark Pritchard dhe Bob Stewart.

Në këtë takim morën pjesë deputetë nga gjithë vendet e Ballkanit.

Kuvendi i  Shqipërisë u përfaqësua nga Fatmir Mediu, Damjan Gjiknuri, Dhurata Çupi, Blerina Gjylameti dhe Lavdërim Krashi.

Në darkën e organizuar, Lord George Robertson theksoj nevojën e bashkëpunimit te Ballkanit në kuadër të BE si rruga e vetme drejt prosperitetit.

Ndër të tjera ai theksoi se Britania po i kushton një vëmendje të veçantë Ballkanit.

Në fjalën e tij Mediu ngriti shqetësimet për situatën në Ballkan në mënyrë të veçantë, shpenzimet e mëdha ushtarake të Serbisë me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës, si kërcënim për rajonin. Serbia gjithashtu është përcaktuar kundër sanksioneve duke marrë qëndrim në favor të Rusisë.

“Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës dhe bllokimi i negociatave, tregojnë qartë qëllimet e tyre për ta parë Kosovën si pjesë të Serbisë. Një zhvillim tjetër i rrezikshëm është dhe ai i Dodik për të shkëputur Republika Sërbska nga Bosnja, qëndrim i kordinuar ndërmjet Beogradit dhe Moskës. Mos hapja e negociatave nga BE është një zhvillim negativ që do ketë pasoja në Ballkan dhe sidomos në nivelin demokratik dhe inszitucional të vendeve tona” tha Mediu.

Gjatë konferencës e cila  u mbajt në House of Lords, deputetët britanikë theksuan se është cenuar siguria e Britanisë dhe Europës nga agresioni Rus në Ukrainë  dhe padyshim që Ballkani është më i kërcënuar dhe këto kërcënime nuk janë thjeshtë dhe vetëm ushtarake.

Ata vunë në dukje se jo vetëm Rusia por edhe Kina kanë qëllime të qarta që vinë kundër interesave të popujve dhe  të ardhmes Europiane të Ballkanit.