Çfarë i helmoi kuksianët?
Dhjetëra qytetarë të Kukësit janë paraqitur në spitalin e qytetit prej mëngjesit të së dielës me shenja helmimi. Teksa autoritetet nuk mund të thonë se nga ka ardhur kjo situatë ata e përjashtojnë mundësinë që uji ka qenë i kontaminuar.
Kukes- Helmimi i dhjetërave qytetarëve në Kukës vijon të jetë mister.
Menjëherë pasi u denoncuan me dhjetra raste të qytetarëve që kërkojnë ndihmë në spital, autoritetet atje kanë përjashtuar mundësinë e që kjo situatë është shkaktuar nga uji i pijshëm.
Pavarësisht se nuk dha një përgjigje për dyshimet që mund të kenë çuar në këtë situatë, Hasan Halilaj drejtor i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor tha se analizat paraprake të ujit kanë rezultuar Brenda parametrave.
"Analizat fiziko kimike të ujit janë brenda standardeve normale të parashikuara me ligj dhe nuk kemi pse të përhapet panik"
Për kreun e Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici situata po përdoret politikisht dhe tha që nuk ka nevojë për panik, pavarësisht se pranoi se në një lagje uji i pijshëm është përzier me ujin vaditës.
"Për muajin që flisni nuk është e vërtetë që ka problem uji i pijshëm, por e vërtetë është që u përzi me ujin vaditës. Drejtoria e Ujësjellësit është në krye të detyrës. Ne kemi pasur dhe herë të tjera por nuk është bërë kaq abuzive" .
Nga Urgjenca e Kukësit kanë thënë se nga mëngjesi i së dielës (26 qershor) janë paraqitur dhjetra qytetarë, ndërsa shumica e tyre kanë pasur të vjella dhe diarre.

