Përleshja me lopata në Shëngjin për hapësirat e plazhit, policia zbardh dinamikën, u plagos dhe një grua
Hapësirat e plazhit u bënë sërish shkak për konflikte në bregdet. Këtë verë skena dhune erdhën nga Shëngjini, ku kërcitën lopatat e grushtet.
Pas veprimeve hetimore, policia thotë se ka bërë zbardhjen e plotë të dinamikës së këtij konflikti për motive pronësie që u regjistrua të dielën, 26 qershor, në të cilin u përfshinë shtetasit A.(P). D. dhe E. D. me shtetasit A. M. dhe E. M.
Në vijim të veprimeve procedurale u bë shpallja në kërkim e shtetasit A.(P). D., 48 vjeç, banues në Shëngjin, pasi ka goditur me sende të forta shtetasin A. M., 45 vjeç, banues në Shëngjin, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, në lidhje me këtë konflikt, u referuan materialet procedurale në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin E. M., 41 vjeç (vëllai i shtetasit A. M.), banues në Shëngjin, pasi ka goditur shtetasen E. D., 46 vjeçe, banuese në Tiranë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Plagosja e rëndë me dashje", në ngarkim të shtetasit A.(P).D., dhe për veprën penale "Dëmtime të tjera me dashje", në ngarkim të shtetasit E. M.
