S'kemi avionë për shuarjen e flakëve por për mirëmbajtjen e Flotës Ajrore paguajmë më shumë se Turqia e Italia

Shqipëria nuk ka avionë të posaçëm apo helikopterë për  shuarjen e zjarrit. Këtë fakt e konfirmoi edhe një herë ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi sot në Komisionin e Sigurinë Kombëtare.

“Ky është një fakt që e di publiku. Nuk kemi. Pse nuk  kemi hajde ta diskutojmë por unë them që një vend i vogël si Shqipëria nuk ia leverdis të blejë një avionin tonë që kushton 50 mln euro.

Edhe nëse i kemi nuk jemi në fazën që të investojmë 50 mln euro për ta përdorur një muaj shto dhe koston e mirëmbajtjes që janë shumë të mëdha dhe për fat të keq ne nuk kemi kompani mirëmbajtjeje”

Peleshi pranon madje se me mirëmbajtjen e flotës ajrore kostot janë edhe më të mëdha se Italia e Turqia

“Ne mirëmbajmë flotën tonë ajrore me kontraktim jashtë vendit dhe kostot tona janë edhe më të mëdha sesa Italia e Turqia. Sepse duhet ta çojmë mjetin jashtë. Problemet e mirëmbajtjes i kanë shtete shumë më të mëdha se ne, pastaj kur e ke në largësi mundësitë e inspektimit janë më të vogla.

Prandaj të investojmë ne qindra miliona euro për të pasur flotë avionësh për fikjen e zjarrit është ekonomikisht e praktikisht e pamundur. Ky është lajm i keq. Lajmi i mirë është që nuk kemi pse të shpikim zgjidhjet. Kemi bashkëpunim me agjencinë e mbrotjes civile Itali, Greqi, Kroaci, Turqi, e mbi të gjitha me Mbrojtjen Civile"

Peleshi ndan dhimbjen e kokës me ministrant e NATO-s

“Mirëmbajtja është dhimbje koke. Nuk kam takuar asnjë ministër të NATO-s që të mos e ketë dhimbje koke mirëmbajtjen.Nuk kam takuar asnjë ministër që më thotë që e kam zgjidhur dhe për një vend të vogël është disafish më e vështirë”

Çfarë ndodh me Cougar?

Forcat e Armatosura kanë vetëm një helikopter Cougar në dispozicion të shuarjes së flakëve dhe Peleshi tha se është ekzagjeruar perceptimi për të në publik, si “dora e zotit” e vetmja që shuan flakët.  

Niko Peleshi:Flota ajrore nuk ka mjete specifike për shuarjen e zjarrit por kemi vënë në dispozicion një nga 4 helikopterët Cougar në dispozicion të shuarjes së zjarrit.

Efekti i tyre është ekzagjeruar në publik, sepse është krijuar ideja me sukses që zjarret lidhen me helikopterin dhe nga kjo sëmundje janë infektuar shumë kryetarë bashkisë të cilët e shikojnë zjarrin që të arrijë qiellin e thonë na duhet helikopter. Nëse vazhdojmë me këtë mentalitet do ta kemi shumë të vështirë

Ne jemi pakursim. Ushtarët tanë vënë jetën në rrezik por nuk përballemi dot nëse nuk reagon gjithë sistemi" 

Heq dorë nga prokurimet e mirembajtjes

Procedurat e prokurimit për mirëmbajtjen e helikopterëve nuk do të jenë më në dorë të Ministrisë së Mbrojtjes por në dorë të një agjencie të posaçme e NATO-s e cila do të veprojë për llogari të palës shqiptare.

Niko Peleshi: "Nuk duam të bëjmë më porocedura prokurorimi për mirëmbajtjen sepse forca jonë e negocimit, mbase pot ë doni hartimit dhe menaxhimit të kontratave të komplikuara të këtij lloji nuk është aq sa e një agjencie të specializuar si në SPA"

E kemi marrë këtë vendim. Kemi çuar një cougar në SPA dhe eksperienca e parë ishte shumë pozitive. Brenda 3 muajsh u riparua dhe u kthye në Shqipëri.

Kemi çuar dhe dy helikopterë të tjerë tip EC që ishin në kontratë me një kompani italiane. Shkuam drejt prishjes së negoicatës me mirëkuptim i thamë ti nuk e bën dot këtë punë na liro helikoterët nëse nuk do të marrim fitimin e munguar etj. Ramë dakord e prishëm kontratën me kompaninë italiane dhe ia kemi deleguar procedurën agjencisë së NATO-s, në SPA dhe jemi në pritje të realizimit të procedimit për llogari tonë.

Po heqim procedurat e prokurorit nga ministria Mbrojtjes në një agjenci të specializuar

Nëse kontrata me helikopterin cougar nuk do të ecë ne ia kemi bërë të qartë nëse ju po bëni zvarritje të qëllimshme do prishim marrëveshjen"

Sot në komisionin e Sigurisë mbahet seancë Dëgjimore me Ministrin e Mbrojtjes z. Niko Peleshi kërkuar nga deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike anëtar të Komisionit për Sigurinë Kombëtare lidhur me ndryshimet e fundit të propozuara në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 13/2015, “Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”” si dhe me problematikën e krijuar si rezultat i zjarreve në ishullin e Sazanit.