Masakër në Velipojë: 4 të vrarë e 2 të plagosur pas konfliktit për rërën. Vriten dy vëllezër, babai i Arjan Verracakut e kamarieri
Plazhi i Velipojës u trondit nga një ngjarje e rëndë që u shënua 30 minuta pas mesnatës së të shtunës.
Katër persona mbetën të vrarë ndërsa dy të tjerë u plagosën pas një konflikti me armë që u shënua në orën 00:30 minuta të 27 qershorit 2021 përpara hotel Gocajt.
"Shkak i konfliktit me armë ishte ndarja e pronësisë mbi sipërfaqet me rërë ku vendosen shezllonët" deklaroi drejtori i policise se Shkodres, Niko Brahimaj ne nje prononcim për median pranë vendit të krimit dy orë pas masakrës.
Mes viktimave janë dy vëllezërit Gocaj, babai i Arjan Verracakut i vrarë në 2018 dhe një 20 vjeçar. Ndërsa mbetën të plagosur vellai i Kujtim Verracakut dhe një adoleshent të cilët sipas policisë dyshohet se janë autorë të konfliktit me armë.
Kush janë viktimat
Kujtim Verracaku (Ferracaku), babai i Arjan Ferracakut, 59 vjeç
Musaen Zeneli, 20 vjeç kamarier.
Edmond Gocaj, 38 vjeç
Xhovani Gocaj 25 vjeç
Gocajt janë vellezer, djemtë e pronarit të hotelit Gocaj para të cilit ndodhi masakra
Te plagosur kane mbetur
Elmidin Dyli 17 vjeç
Hasan Verracaku 54 vjeç, vëllai i Kujtim Verracakut.
50 metra i ndanin
Dy familjet Verracaku dhe Gocaj kanë hotele në Velipojë me distancë 50 metra larg njëri tjetrit. Në vendin e ngjarjes policia sekuestroi 2 armë kallashnikov, një pistoletë tip Glock dhe një TT. Ata janë dërguar për ekzaminim për të parë se kujt i përkisnin. Po bëhet dhe kqyrja e gëzhojave që janë gjetur në vendngjarje pasi dyshohet se janë përdorur dhe armë të tjera.
Si ndodhi masakra sot?
Dy vëllezërit Verracaku janë nisur tek hoteli i Gocajt për të sqaruar ndarjen e plazhit. Dyshohet se ata kanë shkuar të armatosur për të sqaruar konfliktin mes tyre. Në oborrin e hotelit Gocaj konflikti është përshkallëzuar me përdorimin e armëve.
Dita e parë e punës dhe e fundit e jetës
Për 20 vjeçarin Musaen Zeneli ishte dita e parë e punës në hotelin Gocaj. Me të dëgjuar të shtënat ai ka dalë nga dhoma e tij dhe është gjendur mes plumbave.
Kush eshte Kujtim Ferracaku?
Kujtim Verracaku, një prej viktimave që mbetën të vrarë sot në Velipojë është babai i Arjan Ferracakut i cili mbeti i vrarë 1 shtator 2018, rreth orës 13.50 teksa po kalëronte një kalë me dy miqtë e tij. Vrasja e tij ka mbetur ende e pazbardhur. Ata janë pronarë të disa bizneseve në Velipojë.
Gjendja e të plagosurve
Hasan Verracaku ndodhet në spital dhe burimet bëjnë me dije se gjëndja e tij është më serioze, ndërsa 17 vjeçari Elmidin Dyli do i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Veliu niset drejt Velipojës
Vetë drejtori i Policisë së shtetit, Ardi Veliu është nisur drejt plazhit të Velipojës në Shkodër ku ndodhi ngjarja e rëndë.
Informon nga vendi i ngjarjes gazetari i Ora News, Bepin Kolvata.
Dhjetra furgonë policie ndodhen në Velipojë.

Ora 04:00 Policia shperndan njoftimin
Policia shperndan njoftimin ku informon se dy te plagosurit dyshohen si autorë të përfshirê në konfliktin e armatosur te ndodhur ne në Pulaj Plazh, Velipojë.
Më datë 27.06.2021, rreth orës 00:30, në Pulaj Plazh, Velipojë, si pasojë e një konflikti të çastit, i cili është përshkallëzuar në përdorim të armës së zjarrit kanë mbetur të vrarë, shtetasit K. V. 59 vjeç, Xh. G. 25 vjeç , E. G. 38 vjeç dhe M. Z. 20 vjeç.
Si dhe janë plagosur shtetasit H. V. 54 vjeç, dhe E. D. 17 vjeç, të cilët dyshohen si autorë të përfshirê në konfliktin e armatosur.
Për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes menjëherë është ngritur një grup posaçëm hetimor me specialistë të strukturave hetimore në DVP Shkodër dhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Jetës në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Në ndihmë të Policisë vendore ka shkuar FNSH Shkodër dhe një grup i Forcave Speciale Renea.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të kësaj ngjarjeje.

Raportoi nga vendi i ngjarjes gazetari i Ora News Bepin Kolvata.

