“Masakra” me pronat në Tiranë, Prokuroria nis kryesisht hetimet pas deklaratës së Lames

Pak ditë pas denoncimit në media të kreut të Kadastrës Artan Lame për rezultatin e kontrollit në regjistrin e pronave të kryeqytetit, ku janë gjetur fletë të grisura, të hequra dhe manipuluara, ka ardhur reagimi i prokurorisë. Organi i akuzës ka njoftuar se ka nisur kryesisht hetimet për shpërdorim detyre dhe zhdukjes dhe vjedhjes së dokumentave. Në deklaratë theksohet se prokuroria do të vendosë para përgjegjësisë të gjithë personat e implikuar.

"Nga 2342 regjistra pronash, vetëm rreth 250 rezultojnë pa dëmtime".

Kjo deklaratë e kreut te Kadastres Artan Lame, i cili denoncoi demtimin dhe humbjen e mijëra faqeve nga regjistrat e pronave të qarkut të Tiranës, ka bërë që Prokuroria të nisë menjëhere hetimet.

Në një deklaratë për mediat behet me dije se procedimi ka nisur kryesisht për veprat penale te shpërdorimit të detyrës dhe zhdukjes dhe vjedhjes së dokumentave.

Prokuroria e kryeqytetit bën me dije se lidhur me faktet që ka denoncuar kreu i Kadastrës është  angazhuar për të vënë para pergjegjësisë penale të çdo zyrtari apo personi tjetër të përfshirë në veprimtari të kundraligjshme.

Dëmtimet ishin kryesisht në regjitrat e zonave në zhvillim të kryeqytetit si Farka, Ndroqi, Shen Gjergji etj.

Sipas Lames nga kontrolli ne regjistrat e Kadastrës së Tiranës vetëm 10% e tyre kanë rezultuar pa probleme, të tjerët janë dëmtuar me fletë të dubluara të grisur ose faqe bosh në pjesët e brendshme të tyre.