Shërbimi sekret publikon një pjesë të raportit të 2021: Elementë radikalë vazhdojnë aktivitetin nga burgu

Shërbimi sekret jep alarmin se elementët radikalë të dënuar për terrorizëm vazhdojnë aktivitetin e tyre brenda sistemit të burgjeve në Shqipëri. Sipas raportit të shish për vitin 2021, ekziston rreziku që këta elementë të cenojnë sigurinë edhe pas përfundimit të dënimeve. SHISH vë në dukje se aktivitetet hibride të aktorëve joperëndimorë kanë pasur rritje në rajon, por edhe në Shqipëri.

Shërbimi informative shtetëror ka publikuar një pjesë të raportit për vitin 2021 ku ngre alarmin se të burgosurit për terrorizëm vijojnë të mbajnë profil radikal dhe janë të angazhuar në aktivitete radikalizuese në sistemet penitenciare në vendin tonë dhe rajon.

Shërbimi sekret vlerëson se, shkalla e radikalizimit mund të ndikojë në situatën e sigurisë, pas përfundimit të dënimeve. disa vite më parë Shqipëria arrestoi dhe burgosi një numër imamësh dhe besimtarësh të radikalizuar në disa xhami të vendit të cilët ishin implikuar në dërgimin e luftëtarëve në Siri. Disa prej këtyre personave përfshirë edhe Genci Ballën ndodhen në burgje dhe në sistemin e izolimit 41 bis.

Sipas SHISH, gjatë vitit 2021, niveli i kërcënimit terrorist në vend ka qenë i ulët, ndërsa në rajon ka variuar nga i ulët në i mesëm për shkak të synimeve apo planeve për akte terroriste.

Raporti evidenton se propaganda dhe teknologjitë e komunikimit online shfrytëzohen për aktivitete radikalizuese dhe rekrutuese.

Në lidhje me krimin e organizuar SHISH vlerëson se pavarësisht rezultateve domethënëse, kundërvënia ndaj trafikimit të lëndëve narkotike mbetet sfidë e rëndësishme, për shkak të evoluimit të mënyrave të operimit të tyre pas goditjeve. Faktorë nxitës dhe tërheqës të aktivitetit kriminal në vend dhe rajon mbeten: anëtarët e tyre të pozicionuar tashmë në vendet e origjinës ku prodhohen lëndët narkotike, lidhjet me rrjete kriminale ndërkombëtare dhe rajonale; realizimi i kërkesave paraprake apo marrëveshjeve të shtyra në kohë për shkak të kufizimeve nga pandemia, mbulimi i kostove të shkaktuara nga sekuestrimet dhe arrestimet.

Anëtarët e grupeve shqiptare të trafikut të drogës kanë krijuar kontakte të drejtpërdrejta edhe me prodhuesit direkt të drogave, duke fituar “besimin reciprok”.

Në lidhje me sigurinë në rajon, shish thekson se Shqipëria vijon të mbetet në fokus të disa shërbimeve të huaja të inteligjencës. Sipas raportit të SHISH, aktivitetet hibride të aktorëve joperëndimorë kanë njohur rritje në rajon, por edhe në vendin tonë, edhe pse jo me të njëjtat përmasa si në vendet e rajonit.

Në dokument thuhet se këto lloj aktivitetesh po bëhen më evidente ndërkohë që vendet po përparojnë në proceset demokratizuese dhe integruese.