Meta: Butrinti ti rikthehet shtetit. Kuvendi të reflektojë. S’mund të menaxhohet nga OJF
Kreu i Shtetit kërkon nga mazhoranca që të relefktojë për Parkun e Butrintit pasi sipas Ilir Metës kjo pasuri e vendit nuk mund të administrohet nga OJF. Duke radhitur të gjitha shkeljet e bëra nga qeveria dhe kuvendi, Presidenti apelon që shteti duhet të jetë i vetmi që administron dhe kontrollon Butrintin.
Tirane- Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka dalë sërish kundër maxhorancës pasi nuk është dakord me Edi Ramën që Parku i Butrinit të administrohet nga një fondacion dhe jo nga shteti shqiptar. Kreu i Shtetit i kërkoi publikisht deputetëve të kuvendit që të reflektojnë për t’i dhënë një shanc të dytë Butrintit duke ngritur një komision të posaçëm.
Ilir Meta: Sipas Konventës së Trashëgimisë Botërore të Parisit përgjegjësia e ruajtjes dhe administrimit të pasurive që përbëjnë trashëgimi kulturore universale nuk mund të kalojnë në një organizëm shoqëror siç janë OJF-të siç synohet dejuro dhe defacto por ajo ngelet përgjegjësi e shtetit. Marrëveshja e nënshkruar nga qeveria e miratuar me ligjin e kthyer shmang tërësisht kontrollin apo auditimin nga autoriteti më i lartë kushtetues që është Kontrolli i Lartë i Shtetit. Kjo është e papranueshme sipas kushtetutës.
Kreu i Shtetit konstaton që ka patur shkelje në praktikën e përdorur nga qeveria dhe Kuvendi, të cilat sipas tij kanë vepruar nxitimthi pa u konsultuar me ekspertët e fushës apo organizatat ndërkombëtare.
Ilir Meta: Edhe një herë apeloj që për një çështje të madhe aq të rëndësishme kombëtare kulturore të ketë një reflektim dhe të vlerësojë sugjerimin për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm parlamentar i cili përmes një procesi të gjerë dhe solid konsultimi e diskutimi të mund të prodhojë produktin më të mirë.
Me 75 vota pro Parlamenti miratoi me 23 maji marrëveshjen e qeverisë shqiptare që Parku i Butrintit të administrohet nga fondacioni shqiptaro-amerikan për Zhvillim.