Maks Haxhia kërkon të pezullohet harta gjyqësore, më parë të bëhet reforma territoriale

Kryetar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë kërkon që të pezullohet shqyrtimi nga qeveria e hartës gjyqësore për sa kohë janë duke shqyrtuar hartën territoriale.

Haxhia gjithashtu tha se do të insistojnë fort në dëgjesën e Komisionit të Ligjeve që do të mbahet ditën e hënë për të parashtruar propozimet dhe argumentet e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Maks Haxhia: Kerkoj që të pezullohet shqyrtimi nga qeveria e hartës gjyqësore për sa kohë janë duke shqyrtuar hartën territoriale. Kjo do të thotë që në qoftë se ti sot bën një Gjykatë Apeli dhe bën katër rajone prap nuk përputhet. Harta gjyqësore duhet të jetë paralel dhe të shkojë në përputhshmëri me hartën territoriale. Pra në qoftë se do të jenë 4 rajone është logjike që duhet të kesh 4 Gjykata Apeli. Në Këshillin e Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë që përbëhet nga 91 anëtarë ne do të marrim vendimin që do të jetë përfundimtar, i zbatueshëm dhe i detyrueshëm për të gjithë. Çdo veprim që do të dali kundër këtij veprimi do të konsiderohet shkelje disiplinore.

Sakaq Haxhia tha se vendimi që do të respektohet është ai që do të marrë Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë sido që të jetë ai.

Maks Haxhia: Unë do të respektoj vendimin e Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë kushdo qoftë ai, bojkot 1 muaj, 2 muaj, 6 muaj. Kisha në planin tim të mos kalonim në bojkotin e dhomave por të gjitha dhomat e Shqipërisë të gjithë avokatët pa përjashtim të vinin te godina e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të bënin demostrimin përpara Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Haxhia tregoi dhe propozimin që do të bëjë lidhur me anëtarët pjesë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

"Po ju bëj prezent dhe propozimin tim që do ta bëj në Komitetin Disiplinor të dy anëtarët që janë anëtarë  të Këshillit të Lartë Gjyqësor  nëse kanë votuar pro do të bëj propozimin që tu hiqet liqenca", u shpreh Haxhia.