Artan Lame: Në Kadastër është ulur korrupsioni, punonjësit po bëjnë presion tu rritet rroga

Kreu i Kadastrës, Artan Lame pranon se në institucionin që drejton ka korrupsion por ky fenomen sa vjen e reduktohet dhe kjo falë përmirësimit të sistemit.

I idesë se korrupsioni nuk është çështje njerëzish por sistemi, Lame tregon dhe si është ndryshuar puna në Kadastër për të minimizuar mundësitë e ndërhyrjeve dhe korrupsionit.

“Unë nuk besoj se thjesht duke i shtrydhur njerëzit i motivon. Ne dëgjojmë u arrestua ky, u dënua ky e na duket sikur zgjidhet problemi. Ndoshta ata që e dëgjojnë në shtëpi u qetësohet shpirti por unë çdo arrestim e konsideroj dështim të sistemit. Një njeri që përfundon në burg do të thotë që i gjithë sistemi ka dështuar. Nuk jam i prirur të mburrem me numra arrestimesh”

Tregon se denoncimin pak ditëve më parë në Sarandë ku ishte tjetërsuar 10 mijë metra katror tokë pranë bregdetit që çoi në arrestimin  e zyrtarëve e kishte bërë vetë Kadastra.

"Pretendoj të jem një nga institucionet që ka hequr më shumë nga puna. Ka bërë shumë denoncime dhe nuk dal në ekran. Edhe ndërhyrjen në Sarandë denoncimin e bëmë ne Kadastra" tha Lame duke kujtuar dhe denoncimin që ka bërë dy muaj më parë në Durrës ndërsa thotë se nga fundi I javës do të publikojë gjetjet e ndërhyrjeve në regjistrat në Tiranë. 

"Ky është korrupsioni i madh që ka shkatërruar në themel sistemin. Ndryshimi në themel i pronësive" nënvizon kreu i Kadastrës.

Lame tregon dy format e korrupsionit në Kadastër

Dy janë format e korrupsionit në Kadastër, do të thoja në Hipotekë duke ia lënë të shkuarës.

1-      Korrupsioni i vogël endemik, na 30 mijë lekë ma mbaro punën

2-      Korrupsioni i madh: Merrja Lenës jepja Prenës. Merrja pronën këtij, prek regjistrin e gris fletën. Këtë e them me përgjegjësi në 99.99% e rasteve nuk ndodh më. Nuk ndodh më vetëm për arsyen e digitalizimit dhe skanimi në sistem. Që do të thotë se nëse para dy vitesh edhe ai me moral të dobët e kishte mundësinë të griste fletën e të fuste pronën e dikujt tjetër, sot që regjistrat janë inventarizuar dhe ka nisur digjitalizimi nuk bën dot asnjë veprim se lë gurmë.  

Ndërhyrja e fundit

“Të çmendur do të ketë gjithmonë” thotë Lame duke treguar rastin e fundit. Para dy javësh një ndërhyrje në regjistrat e Tiranës

“Para dy javësh na doli një itillë në një nga drejtoritë e Tiranës. Edhe në sistem kishte bërë prekje por u zbulua menjëherë sepse sistemi ta jep këtë mundësi. Prandaj unë këmbëngul nuk duhen ndryshuar njerëzit por sistemi. 

Gjithmonë skarc do të ketë, njerëz që nuk e përballojnë dot ritmin, që çedojnë do të ketë por përmes përmirësimit të sistemit gjërat kanë avancuar”

Lame nënvizon se digitalizimi ka reduktuar në 99.99% ndërhyjet dhe tregon se ku duket qe ka rënë niveli i korrupsionit.

Artan Lame: "Njërën nga kolonat e korrupsionit, që është ndryshimet në pronësi, 99% edhe më shumë nuk ndodh më. Ajo që e ka bërë lëmsh nuk ndodh më. Ajo që është problem është korrupsioni i vogël endemik i 20, 30 mijë lekëshit në shërbime. Kjo zhduket me shërbimet online.

Ajo që I vë kapakun. Është se në kadastër kanë kërkuar rritje rroge, shenja më e sigurtë e uljes së korrupsionit. Nëse për doganierët dhe të Hipotekës thuhej po përse ka dhe rrogë?! Fakti që tani po bëjnë presion për rritjen e rrogës tregon se është ulur shumë indeksi i korrupsionit"