Blatter dhe Platini në telashe, prokuroria kërkon burg për ish-drejtuesit e FIFA-s e UEFA-s
20 muaj heqje lirie me të drejtë konvertimi në shërbim të publikut. Ky është dënimi që ka kërkuar prokuroria zviceriane ndaj Sepp Blatter dhe Michel Platini, respektivisht ish-drejtues të FIFA dhe UEFA për transferimin e rreth 2 milionë eurove në mënyrë jo ligjore tek ish-futbollisti francez.
Në përmbledhjet dhe kërkesat e seancës së fundit ndaj tyre, akuza theksoi se ata nuk kanë shfaqur asnjë shenjë pendese madje nuk e kanë cilësuar të gabuar këtë veprim që në Zvicër konsiderohet evazion fiskal.
Blatter deklaroi gjatë dëshmisë së tij se ato para Platini i kishte përfituar për periudhën që punoi si bashkëpunëtor në FIFA gjatë vitit 1998. Sipas prokurorisë, prolemi qëndron në faktin se nuk ka asnjë gjurmë bankare për transferimin e parave.
Qëndrim të njëjtë ka mbajtur edhe Platini duke shtuar se FIFA dhe drejtuesit e saj aktualë po sillen në mënyrë skandaloze me të dhe Blatter, por shtoi se ka besim që e vërteta do të dalë në shesh shumë shpejt. Gjatë ditëve të ardhshme, gjykata do të marrë vendimin për dy të pandehurit që u larguan nga funksionet drejtuese pasi skandali u bë publik rreth 6 vite më parë.
