Partizani niset drejt Sllovenisë me një sulmues të ri, nënshkruan Cvetanoski

Pas Ëngjëll Hotit dhe Bruno Telushit, Partizani bën një goditje tjetër në merkato. Klubi i kuq njofton arritjen e marrëveshjes me sulmuesin polivalent Matej Cvetanoski, i cili mbylli sezonin e fundit në radhët e hungarezëve të Gyirmot.

“FK Partizani me kënaqësi njofton arritjen e marrëveshjes me Matej Cvetanoskin. Sulmuesi 24 vjeçar nga Maqedonia e Veriut ka nënshkruar sot me të kuqtë një kontratë 1-vjeçare, me opsion rinovimi edhe për sezonin e ardhshëm. Cvetanoski do t’i bashkohet menjëherë skuadrës në Slloveni”.

Ndërkohë, skuadra ka përfunduar përgatitjet në Tiranë dhe udhëtoi sot drejt Sllovenisë për pjesën e dytë të fazës përgatitore dhe do të luajë tre ndeshje miqësore. Në raundin e parë të Conference League, të kuqtë sfidojnë gjeorgjianët e Sabutaros ndërsa nëse e kalojnë këtë raund, i pret sfida prestigjoze me Steauan e Bukureshtit.