VIDEO/ Barazim në frymën e fundit, kuqezinjtë e vegjël ruajnë nderin përballë “Dardanëve”

Ndalen edhe shpresat e Shqipërisë në ndeshjen e fundit eleminatore të Euro 2023. Kombëtarja e drejtuar nga Alban Bushi barazoi 1-1 në Elbasan me Kosovën që shënoi golin e parë të ndeshjes me autor Krasniqin në minutën e 32.

Një ndeshje pa shumë emocione dhe e kontrolluar kryesisht nga Kosova që pasi gjeti golin, nuk arriti të ruante rezultatin duke mos përfituar edhe nga fakti që Shqipëria U-21 zbriti në fushë me shumë emra të rinj për shkak të transferimit të shumë lojtarëve në kombëtaren e parë. 

Barazim kuqezi me golin e shënuar në fund të ndeshjes nga Bebeziqi që evitoi humbjen e shtatë rresht për skuadrën e Bushit.

Kjo ishte ndeshja e fundit eleminatore e kuqezinjve në grupin G ku numërojnë 6 humbje dhe 1 barazim në 7 të fundit duke e mbyllur fazën eleminatore me vetëm 3 fitore dhe 10 pikë në vendin e parafundit. Shqipëria lë pas vetëm Andorrën me 0 pikë ndërsa Kosova e mbyll në vendin e katërt me 12.

Kualifikimin direkt në europian e siguron Anglia ndërsa Republika Çeke do të luajë ndeshjet play-off.