Shakira kthehet në problem për Pique, Xavi i kërkon largimin
Tradhëtia ndaj Shakira-s mund t’i kushtojë shtrenjtë kapitenit të Barcelonës, Gerard Pique. Zërat e shumtë mediatikë të ditëve të fundit që u shoqëruan me ndarjen e çiftit, nuk i kanë pëlqyer aspak trajnerit Xavi që i ka bërë me dije numrit 3 se nuk është më në planet e tij dhe duhet të gjejë një skuadër tjetër.
Gjithsesi, mbrojtësi nuk është dorëzuar dhe në një bisedë që ka pasur me presidentin Joan Laporta, i ka premtuar se do të fokusohet vetëm te futbolli i luajtur dhe do të punojë fort për të ndihmuar në ringritjen e Barcelonës.

“Unë do të punoj shumë që të jem një titullar dhe nëse keni dyshime për këtë, bleni mbrojtësin më të fortë të botës dhe silleni në skuadër ku do të shikojë se përballë meje do të jetë thjesht një lojtar stoli”, i ka komunikuar Pique numrit 1 të klubit duke shprehur bindjen se ka ende shumë për të dhënë me këtë fanellë.
Përveç zërave për një histori të mundshme me mamanë e shokut të skuadrës Gavi që janë përgënjeshtruar si të pavërtetë, Pique ka ende një problem që lidhet me angazhimin e tij në një aferë me kreun e federatës për caktimin e Superkupës së Spanjës për 10 vitet e ardhshme në Arabinë Saudite.
Që prej transferimit te Barcelona në vitin 2008, ai ka fituar 3 Champions League, 8 La Liga, 3 Botërorë Klubesh, 7 Kupa Mbreti dhe 6 Superkupa Spanje.
