“Bombë” merkatoje/ Partizani ”mund" Tiranën në derbi, i shënon me... Hotin

Partizani nuk fitoi asnjë ndeshje derbi sezonin e kaluar me Tiranën por përballjen e merkatos e ka nisur me një gol spektakolar. Të kuqtë nënshkruajnë me ish-lojtarin e Tiranës, Ëngjëll Hoti, i cili u largua nga bardheblutë pasi ndërpreu kontratën pak ditë më parë.

Lajmin e publikon klubi i kuq që njofton arritjen e marrëveshjes me mesfushorin e lindur në Kosovë, i cili ka firmosur fillimisht për një sezon me opsion për një tjetër. Lëvizje surprizë nga ana e Partizanit që ditën e sotme ka rikthyer në skuadër mesfushorin Bruno Telushi, lojtari që mbajti peshën e mesfushës në sezonin e titullit kampion.

Njoftimi i klubit të Partizanit;

“FK Partizani me kënaqësi njofton arritjen e marrëveshjes me Engjëll Hotin. Fantazisti kosovar, ka firmosur sot me klubin një kontratë të vlefshme deri në vitin 2023 me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit. 25 vjeçari i është bashkuar ekipit në prag të fazës përgatitore që do të zhvillohet në Slloveni”.

Hoti e ka nisur karrierën në në Gjermani dhe sezonin e kaluar u bashkua me Tiranën ku numëron 32 ndeshje, 11 prej të cilave titullar.